“Ervin Mata fshihet në Argjentinë”/ Lala: Breçani ndihmoi një person në kërkim të kalonte kufirin

Gazetarja e kronikës Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja në lidhje me operacionin e SPAK dhe lëshimin e 11 urdhër-arresteve, ku u godit një grup i strukturuar kriminal në fushën e lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe vrasjeve.

Sa i përket akuzave për Erzen Breçanin, Lala tha se ai dyshohet të ketë ndihmuar një person në kërkim që të kalojë kufirin përmes Kukësit. Akuza ndaj Breçanit për pastrim parash, dyshohet të ketë lidhje me disa transaksione që janë bërë mes tij dhe familjes Mata.

Në lidhje me vendin se ku po fshihet Ervin Mata, gazetarja u shpreh se dyshohet se ai ndodhet në Argjentinë, teksa më parë, sipas saj, ka qenë në Bolivi. Lala u shpreh në News24 se një tjetër operacion i madh po zhvillohet në Spanjë, por ende nuk ka informacione zyrtare nëse ka të arrestuar.

“Prekja e Bujar Gërmizit dhe e Ervin Matës e konsideroj si një hap cilësor për sa i përket ndëshkimit të njerëzve të rëndësishëm të botës së krimit në vend. Breçani edhe pse në kundërshtim me ligjin ka përkrahur një person të shpallur në kërkim, emrin nuk mund ta bëj publik ende. Bëhet fjalë për një person të kërkuar që ai e ka ndihmuar të kalojë në doganë në Kukës. Pra ai ka qenë në kërkim, dhe e ka ndihmuar të kalojë. Në sistemet e policisë thuhet se personi kur paraqitet në një pikë kufitare duhet automatikisht të ndalohet.

Ka pasur disa transaksione të familjes Breçani dhe Mata. Kjo do duhet parë, pasi ata janë krushqi. SPAK ka dyshim se përbën veprën penale “pastrim parash”. Pritet që Breçari të dalë para seancës gjyqësore dhe të mbajë qëndrimin e tij.

Ervin Mata ka qenë disa kohë në Bolivi, ka dyshime që mund të jetë në Argjentinë. Disa persona të tjerë janë në Spanjë. Ka muaj të tërë sipas konfirmimeve të TIMS që të kërkuarit ndodhen jashtë shtetit. Për disa prej të shpallurve është bërë një operacion në Spanjë dhe nuk kemi informacion nëse janë arrestuar.”, u shpreh Lala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *