“Erdogan sillet si diktator”, Izraeli akuzon presidentin turk pas ndalimit të tregtisë

Pas vendimit të Ankarasë për të ndaluar tregtinë me Izraelin për shkak të luftës në Gaza, ka reaguar ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz. Ai e ka cilësuar diktator presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe e ka akuzuar për “prishje të marrëveshjeve duke bllokuar portet për importet dhe eksportet izraelite”.

“Kështu sillet një diktator, duke shpërfillur interesat e popullit dhe biznesmenëve turq dhe duke injoruar marrëveshjet tregtare ndërkombëtare,” shkruan Katz në X.

Ai thotë se udhëzoi drejtorin e përgjithshëm Yaakov Blitshtein që “të angazhohet menjëherë me të gjitha palët përkatëse në qeveri për të krijuar alternativa për tregtinë me Turqinë, duke u fokusuar në prodhimin vendas dhe importet nga vendet e tjera”.

“Izraeli do të shfaqet me një ekonomi të fortë dhe të guximshme. Ne fitojmë dhe ata humbasin”. U shpreh më tej Katz.

Izraeli dhe Turqia kanë marrëveshje të tregtisë së lirë nga mesi i viteve 1990, të cilat tani po shkelen.

Muajin e kaluar, Turqia njoftoi kufizime të tregtisë së eksportit në Izrael për 54 produkte duke përfshirë çimento, çelik, alumin, materiale ndërtimi dhe pajisje hekuri, në përgjigje të luftës në Rripin e Gazës.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *