Drejtori i Institutit Liberal “Pashko”, Ervis Iljazaj, i ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, në një panel të ftuarish ka analizuar marrëveshjen e firmosur ditën e sotme mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij në Itali, Giorgia Melonit për menaxhimin e emigrantëve.
“Jam kundër këtyre teorive, po mbushet vendi me afrikanë, shqiptarët do ikin, po i zëvendësojnë. Këto janë teori qesharake. Nuk është këtu çështja. Hiperbolizimi i akuzës po humbet thelbin dhe vetë akuzën. Problemi i Shqipërisë nuk është se po pret emigrantë këtu, po është se po ikim emigrantë vetë. Ky reagimi që shkon në racizëm nuk më pëlqen.”
“E dyta, – tha Iljazaj, – “nuk do të isha kundër nëse ky proces do të ishte transparent. Se kjo marrëveshje që u lidh në një konferencë për shtyp dhe nuk e di asnjëri. Dhe tjetra unë nuk shikoj të përfitojë ndonjë gjë Shqipëria, se edhe Turqia mban emigrant, por do miliarda dollar. Argumenti i solidaritetit që ka gjetur Rama është shumë i dobët”,- u shpreh Ervis Iljazaj.
Në studion e Erla Mëhillit, gazetari Enton Abilekaj u shpreh se Rama bëri një pazar për interesa të tij personale, pasi Shqipëria nuk do marrë asnjë përfitim financiar.
“Ne e morëm vesh vetëm kur Rama po e firmoste marrëveshjen, ndërkohë që kishim dëgjuar nga mediat e huaja angleze, italiane që Shqipëria do bëhej pjesë e zgjidhjes së krizës së emigrantëve. Problemi është që ai donte ta bënte vetë pazarin dhe ta sillte gati. Ka bërë një pazar mbi interesat e veta personale, mediat italiane shkruajnë se shqipërua nuk do marrë asnjë lekë, përfitimi i Shqipërisë është zero. Rama e mbush Shqipërinë me emigrantë të Afrikës dhe përfton pushtet personal, Shqipëria përfiton zero lekë”, tha Abilekaj.