Ervis Iljazaj
Kërkesa e deputetëve të rithemelimit për ngritjen e komisioneve hetimore është një e drejtë kushtetuese që duhet zbatuar. Komisionet hetimore janë të konceptuar si instrumentet kontrolli që parlamenti ka ndaj aktivitetit të qeverise. Po ashtu në të gjitha parlamentet demokratik ato konsiderohen si e drejtë e pakicës parlamentare. Në këtë drejtim nuk ka asnjë diskutim.
Problemi me kërkesat e tjera të rimethemelimit, si komisioni i reformës zgjedhore apo organizimi i brendshëm parlamentar, është se këto të drejta kërkohen si përfaqësues të Partisë Demokratike. Një subjekt ligjor i cili sipas vendimeve të gjykatave dhe ligjeve në fuqi për momentin ka përfaqësues të tjerë, të ndryshëm nga rithemelimi. Dhe nuk është shumë e vështirë për të kuptuar, se nuk mund të përfaqësosh një subjekt ligjor pa miratimin zyrtar të tij.
Është gjithashtu e qartë se Edi Rama dhe socialistët në këto 10 vite pushtet nuk shquhet për qeverisje demokratike apo liberale. Është në mentalitetin e këtij pushteti, por edhe të politikës shqiptare në 33 vite që pakica të nëpërkëmbet dhe të shtypet dhe të drejtat e saj rrallë herë janë zbatuar. Njësoj ka ndodhur edhe me komisionet hetimore. Dhe pyetjes se përse kjo mazhorancë nuk ja plotëson të drejtat kushtetuese pakicës, fare thjesht mund ti përgjigjesh se kjo është natyra dhe kultura politike shqiptare, fatkeqësisht.
Megjithatë , pyetja që duhet ngritur në këtë rast është se çfarë mund ta detyrojë një pushtet autokrat të sillet në mënyrë demokratike, aq më tepër në politikën ballkanike, dhe aq me tepër në politikën shqiptare? Dy janë mundësitë. E para mbështetja popullore, dhe e dyta mbështetja ndërkombëtare.
Për sa i përket të parës, duket qartë se deputetët e rithemelimit deri më tani nuk kanë krijuar dhe nuk kanë nxitur asnjë reagim popullor. Sepse mbështetja popullore krijohet me ide ose më besueshmëri. Idetë kanë munguar. E vetmja ide politike që ka mundur të shpalosë rithemelimi në këto dy vite është fakti se ata e konsiderojnë veten si ‘’opozita e vërtetë’’, asgjë më tepër. Një retorikë e pamjaftueshme për të ngjallur mbështetjen e duhur të qytetarëve. A thua se të jesh ‘’opozita e vërtetë’’ është një status moral apriori. Çështja është çfarë opozite? Çështja është a je një opozitë fituese apo jo? Kjo është ajo që i duhet demokracisë dhe qytetarëve shqiptarë. Sepse mund të ndodh që të jesh ‘’opozitë e vërtetë’’ për 20 vite, por kjo nuk i duhet askujt.
Për sa i përket besueshmërisë, shumica e atyre deputetëve, me përjashtim të një numri të vogël perceptohen nga opinioni publik si politikan të pabesueshëm për arsye se janë njerëz totalisht të konsumuar dhe nuk kanë çfarë i ofrojnë më politikës shqiptare. Konsiderohen të tillë edhe për faktin se vetëm disa muaj më parë një pjesë e tyre kanë qenë ‘’armiq’’ të përbetuar, ndërsa sot kanë harruar gjithçka dhe janë në krahë të njeri tjetrit. Dhe kjo sjelle krijon idenë se përpjekja e tyre nuk është aspak për demokracinë, por për interesa personale.
Nëse rithemelimi do të ishte i aftë të krijonte mbështetjen e mjaftueshme qytetare, e sigurt është që ky pushtet do të zmbrapsej dhe do të sillej në mënyrë më demokratike.
Sikur mos të mjaftonte kjo, lëvizja politike e rithemelimit në këtë betejë të saj nuk ka as mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ajo që ka ndodhur në politikën shqiptare në 33 vite është se këta të fundit kanë shërbyer gjithmonë si arbitër. Sa herë ka patur një krizë politike, apo një konflikt janë krijuar tryeza ndërmjetësimi nga ata dhe ngërçet politike janë zgjidhur. Kësaj herë më sa duket është ndryshe. Nuk ka asnjë ndërmjetësim. Për një arsye të thjeshtë. Lider i rithemelimit është në një izolim ndërkombëtar të paprecedent. Fakti është se askush për hetimin e tij ‘’politik’’, ashtu sikurse e konsiderojnë pjesëtarët e rithemelimit nuk ka reaguar. Asnjë ambasadë, asnjë delegacion apo organizatë ndërkombëtare. Ekziston një heshtje totale. Jo vetëm për hetimin, po edhe për kërkesat e tjera politike të rithemelimit.
Në këto kushte, në pamundësi për të krijuar mbështetje të brendshme ose të jashtme, ajo çfarë i ka mbetur për të bërë është vetëm politika nëpërmjet simbolikës, të tipit flakadanë apo prishje të punimeve të parlamentit. Sigurisht është një mjet obstruksioni demokratik, i cili mund të vazhdojnë edhe për gjatë, por pyetja mbetet po njësoj. A mjafton për të detyruar Edi Ramën dhe pushtetin e tij të sillet në mënyrë demokratike?