Nga Ervis Iljazaj
Për shumë kohë, që nga dita që është shpallur non grata, Sali Berisha është shprehur se kjo është një betejë e tij personale dhe nuk ka ndërmend të përfshijë Partinë Demokratike në këtë rrugëtim. Dhe këtë gjë e ka shprehur në të gjitha daljet e tij publike, intervista apo konferencat e tij të shpeshta për shtyp.
Megjithatë, është e qartë se ndryshe nga ç’thotë, Berisha është duke bërë një mbrojtje politike për problemet e tij juridike dhe akuzat e fundit të SPAK ndaj tij. Qëndrimet ndaj akuzave të SPAK, duke e quajtur këtë të fundit një organizatë kriminale apo SKAP-i i partisë, apo duke e quajtur procesin ndaj tij si një proces politik e konfirmojnë më së miri se avokatia ndaj akuzave është një avokati politike dhe jo juridike. Fakti që nga selia e Partisë Demokratike flet për procesin e tij gjyqësor, tregon qartë se lëvizja politike që ai drejton është tërësisht e përfshirë në mbrojtje ndaj tij.
Problemi qëndron se kjo lloj avokatie, avokatia politike pra, nuk bënë asgjë tjetër përveçse rëndon pozitat e tij juridike. Zoti Berisha dhe njerëzit që atë e rrethojnë, janë në iluzionin se forca e tij politike, apo mbështetja që ai ka te një pjesë të popullit opozitar, do ta mbrojnë atë nga procesi gjyqësor. Ndërkohë e kundërta është e vërtetë. Sa më shumë Berisha dhe të tijtë përpiqen të tregojnë forcë politike, aq me shpejtësi më të madhe avancojnë proceset juridike ndaj tij.
Për një arsye të thjeshtë. Ky tashmë është një proces i pakthyeshëm, sado mbështetje popullore të ketë, sado forcë politike të tregojë. Sepse ata që i kanë hapur proces juridik kanë një forcë më të madhe ku mbështeten. Është forca që i vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, investuesit kryesor për ngritjen e SPAK. Në këtë kuptim, tregimi i forcës në këtë betejë nuk ka asnjë lloj rezultati, dhe nuk mund të ketë. Është një përpjekje sizifiane.
Pasi u shpall non grata nga ShBA, Sali Berisha filloi takimet e tij me qytetarët duke krijuar ‘’foltoren’’, me shpresën se mbështetja popullore do të bënte që statusi i tij në raport me aleatët do të ndryshonte. Mirëpo as fakti që tregoi se ishte një faktor politik nuk ndryshoi asgjë në këtë drejtim. Përkundrazi, ndaj tij filloi një proces juridik, pikërisht i nxitur nga të qenurit non-grata.
Të njëjtën gjë Berisha po bënë edhe sot. Takimet politike që ka filluar sapo u nis procesi ndaj tij, janë e njëjta metodë që në këto dy vite dështuan për mbrojtjen e tij juridike. Sepse është e qartë për të gjithë se këto takime nuk janë gjë tjetër përveçse forca politike që kërkon të tregojë ndaj SPAK dhe ndaj ndërkombëtarëve. Edhe pse këtë herë, duket sikur populli i tij nuk po i përgjigjet ashtu sikurse ai dëshiron.
Për këto arsye, e vetmja rrugë efikase që i ka mbetur është përballja me drejtësinë. Sali Berisha ka më shumë mundësi të mbrohet juridikisht se sa politikisht. Si të thuash arma më e fortë e tij në këtë proces mund të jenë argumentet juridike dhe jo ato politike. Me sa duket ende nuk e kanë kuptuar, ose ata që i rrinë afër e kanë këshilluar gabim dhe po e fusin në një rrugë pa kthim.
Të kuptohemi, si çdo qytetar tjetër, edhe Sali Berisha ka të drejtën e një procesi juridik të kullur. Madje, edhe më shumë se një qytetar i thjeshtë, pasi është ish-president dhe ish-kryeministër i Shqipërisë dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të tranzicionit shqiptar, në mos më i rëndësishmi.
Nëse Berisha do të zgjidhte avokatinë juridike në vend të asaj politike, duke e bërë betejën e tij në gjykatë dhe jo në salla politike, ndoshta nuk do të humbiste asnjërën prej tyre dhe do të kishte mundësi ti fitonte të dyja. Ose më së paku, do të shpëtonte njërën prej tyre, të djathtën shqiptare ose drejtësinë e tij. Duke u sjellë në këtë mënyrë, po i humbet të dyja dhe po i sakrifikon të dyja.