Një 59 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Maliqit, pasi përndiqte dhe ngacmonte një vajzë të mitur, 12-vjeçare. Ka qenë gjyshja e vajzës, e cila ka folur për mediat dhe ka treguar tmerrin e përjetuar, ndërsa burri i dehur e ndiqte në shkollë dhe kur dilte nga shtëpia. Madje, ajo tregon se 59-vjeçari e ka ngacmuar edhe në syrin e saj dhe iu ka shkuar te shtëpia duke qëlluar me gurë.
“Çupa nuk më ka treguar që e ngacmonte ky person se i vinte turp dhe nuk donte të më shqetësonte mua se isha e sëmurë. Shkon çupa me motrën time për të mbledhur ca qumështore për t’i shitur. Ai vajti dhe aty por çupa nga frika i thotë motrës time të ngacmon ty jo mua, se është turp një burrë të ngacmojë një fëmijë. Ka 1 javë që e ndjek mbrapa. Unë dje isha te psikologja te shkolla që ta justifikoja që mos i vinte mungesa, ai ishte aty i pirë, i tha çupës hajde këtu. Unë shkova e kapa për gryke dhe e godita. Psikologia tha që do e lajmëronte ajo policinë, ndërsa ai e ndiqte vajzën nga mbrapa, i fliste në telefon, vajza ra në depresion”, tregoi ajo, duke shtuar se ai e ngacmonte mbesën gjithmonë kur ishte i dehur, ndërsa njihet në zonë si person me probleme me alkoolin.
“Gjithmonë në gjendje të dehur ka qenë, kur ishte esëll nuk më ndalonte se unë e ndiqja nga mbrapa”, tha ajo.
Sipas gjyshes së vajzës, 59-vjeçari e ka përndjekur vajzën për ditë me radhë, deri në pikën që ka shkuar deri në banesën e tyre. “Ka ardhur me gurë natën, nuk di çfarë të them, kam hequr traumë. Çupa ka frikë të dalë, nuk del më vetë vajza jashtë”, u shpreh gjyshja më tej.