Për vitin 2024 janë parashkruar 1.5 miliardë lekë për SPAK, mirëpo kjo shumë nuk është e mjaftueshme. Gjatë diskutimeve për buxhetin në Komisionin e Ligjeve, kryeprokurori i SPAK Altin Dumani ka ndarë shqetësimin për ambiente te reja pune.
Për këtë arsye Dumani ka kërkuar plot 309 milionë lekë shtesë në buxhetin e 2024-ës, teksa shton se po punohet tej kapaciteteve, me shumë persona në një zyrë.
“Është bërë një ndarje, një pjesë në vitin 2024, një pjesë në vitin 2025. Bëhet fjalë për një godinë që na është dhënë neve në përdorim dhe kemi nevojë për fondet buxhetore që ta kthejmë funksionale brenda vitit 2024. Vazhdojmë punojmë tej kapaciteteve, shumë persona në një zyrë dhe nuk plotësojë stafin sepse nuk kemi realisht ambiente ku të vendosim punonjësit tanë”- tha Dumani.
Kjo kërkesë ka gjetur mbështetjen edhe të kryetares së komisionit, Klotilda Bushka, e cila tha se këtë sugjerim do t’ia bëjë Komisionit të Ekonomisë. “Ne e shohim që kjo kërkesë e SPAK të merret në konsideratë, gjithsesi duhet rakordim me sugjerimin që do i bëjmë Komisionit të Ekonomisë.”-tha Klotilda Bushka.
Prokuroria e Posaçme e drejtuar nga Altin Dumani është një nga institucionet e reja të drejtësisë, për të cilin shqiptarët kanë shpresë se do të sjellë ndryshimin në vend, duke luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe korrupsionin deri në nivelet më të larta.
Shumë e kanë akuzuar SPAK se është i ngadaltë në hetimin e rasteve që lidhen me krimin dhe korrupsionin, ndërsa vetë institucioni është shprehur se ka në dorë dhjetëra hetime të hapura dhe dosje që po shqyrtohen paralelisht.
Pak javë më parë, në disa pamje të publikuara nga SPAK në rrjetet sociale, u pa dukshëm se nuk kishte hapësira të mjaftueshme për dosjet voluminoze me të cilat përballen çdo ditë prokurorët dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.