Denoncimi/ Iu hoq licenca në vitin 2017, noteri në Tiranë vijon të prodhojë akte të falsifikuara

“Fiks Fare” vijoi të denoncojë veprimet e ish-noterëve, të cilëve megjithëse iu është hequr licenca vite më parë, vazhdojnë të prodhojë akte noteriale.

Pas rastit të ish-noterit të Dibrës Dehar Muça, në emisionin investigativ mbërriti një tjetër informacion për ish noterin Prelë Përkolaj. Megjithëse këtij personi i është hequr licenca si noter dhe i është marrë vula e arshiva në vitin 2017, ai sërish vijon të punojë në zonën e Laprakës. Madje, përdor vulën si noter! Vula të cilat duhet të ishin asgjësuar kohë më parë nga Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve. Noteri ka një zyrë, bashkë me një studio përkthimi.

Pas këtyre informacioneve, “Fiks Fare” shkoi në këtë zyrë për të bërë një akt noterial. Bashkëpunëtorja e “Fiks Fare” i jep një certifikatë për ta përkthyer dhe noterizuar. Fillimisht takon punonjësit e zyrës ligjore, të cilët i bëjnë me dije se “noterizohet dhe përkthehet” dhe se kushton 1.700 lekë. Pas 30 minutash, gazetarja e Fiksit shkoi sërish në atë zyrë, kësaj herë takoi edhe ish-noterin Prelë Përkolaj, në tavolinën e tij të punës. Ai i tha se e ka noterizuar dhe këtë dokument mund ta përdorë ku të dojë.

Në dokumentin e prodhuar më 11 mars 2024, ish noteri e firmosi si “noter publik Prelë Përkolaj”. Madje shkruan se; “Në Tiranë, sot më datë 11 mars 2024 përpara meje noterit publik, anëtar i Dhomës së Noterëve Tiranë, me seli në Laprakë, u paraqit përkthyesi, i cili deklaroi se përktheu dokumentin bashkëngjitur, nga shqip në italisht, dhe pasi firmosi rregullisht në prezencën time, unë noteri vërtetoj nënshkrimin sipas ligjit”. Në këtë dokument është edhe vula e noterit, madje edhe me numër përkatës repertori.

Veprimet e ish-noterit bien ndesh me shkresat e vetë ministrisë së Drejtësisë. Dy herë, ministria e Drejtësisë dhe Dhoma e Noterëve i ka marrë vulën dhe arshivën z. Prel Përkolaj. Herën e parë në vitin 2017 dhe herën e dytë në datën 19 prill 2023.

Shkresa e dytë ka emërtesë “për marrjen në dorëzim të regjistrave dhe akteve noterialë të ish noterëve Prel Përkolaj”. “Komisioni kryen dorëzimin e regjistrave dhe akteve noteriale si dhe kryen asgjësimin e vulës së thatë dhe të njomë të ish noterit Prel Përkolaj” thuhet në këtë dokument.

Por, siç vërtetoi edhe Fiks Fare, jo vetëm që vula dhe arshiva nuk i është marrë, por ai vijon të punojë dhe të bëjë akte noteriale. Akte të cilat, pa licencën, janë falsifikim dokumentesh!

Gazetarët e Fiks Fare takojnë ish-noterin Prelë Përkolaj. Ai thotë se po bën shumë vite që punon si noter, që nga viti 1998. Pohon se ka qenë avokat dhe prokuror. Fiksi i bën me dije se, meqënëse e njihte shumë mirë ligjin, duhet të dinte edhe se kur s’ka licencë s’mund të punojë. Përkolaj fillimisht thotë se është në pension dhe nuk punon! Por, gazetarët e pyesin se, në vitin 2017 dhe vitin 2023 Ministria e Drejtësisë i ka marrë arshivën dhe vulën. Ai thotë se e ka lënë punën. Fiksi i servir aktin e firmosur për përkthimin dhe noterizimin e një certifikate në datën 11 mars 2024. Përgjigjet se shkon disa herë në javë në atë zyrë dhe bën vetëm gjëra të vogla. Por, kur s’ka licencë, si i bën këto noterizime? “Më njohin të gjithë si noter, ndaj kam bërë edhe këto” pohon ai. Madje, thotë se aktet i bën pasi ka pension të ulët dhe lekët s’i dalin për ilaçet.

Në bisedë, ish noteri thotë se, ka marrë një shkresë në vitin 2021 nga Ministria e Drejtësisë, ministri Ulsi Manja, dhe i lejohet të punojë. “Më lër të shkoj ta marr dhe të ta tregoj” pohon ai. Z. Përkolaj shkon dhe e merr këtë dokument në banesë. Shkresa është e datës 15.10.2021, me lëndë “mbi të drejtën e vazhdimësisë të lejes për ushtrimin e profesionit të noterit për Prel Përkolaj”. Por nëse ministria i kërkoi në 2017-ën dhe 2023-shin arshivën dhe vulën, si e lejoi të vijonte detyrën? Gazetarët i bëjnë me dije se kjo shkresë është e falsifikuar, ndërsa ish-noteri pranon se për këtë shkresë ka nisur edhe një hetim penal. “Është në prokurori dhe kam dhënë deklarime atje” pohon ai. Fiksi e pyet nëse mban përgjegjësi penale, teksa ai përgjigjet se “vetëm ligjore”. Gazetarët i bëjnë me dije se falsifikimi i shkresës, por edhe vijimi i punës si noter është vepër penale, teksa ai thotë se “vetëm gjëra të vogla kam bërë se kam pensionin e ulët”.

Pas përgjigjes së tij se “mora shkresë nga ministri Manja për të vijuar punën”, gazetarët e Fiks Fare intervistojnë znj. Mimoza Sadushi, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Noterëve. Zonja Sadushi i thotë Fiksit se z. Prelë Përkolaj ka qenë noter dhe i është hequr licenca dhe i është marrë vula dhe arshiva në vitin 2017 dhe 2023. “S’ka licencë z. Prelë Përkolaj, ka dalë në pension” pohon ajo. Fiksi e pyet nëse ai mund të punojë me ndonjë shkresë të ministrisë, teksa noterja pohon se “absolutisht jo, nëse të është marrë arshiva dhe vula”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *