Darka “anti Biden” nga Elon Musk/ Ja cilët ishin pjesëmarrësit dhe temat që u përfolën

Figura të shquara, biznesmenë por edhe përkrahës të Trump ishin pjesëmarrës në darkën e organizuar muajin e kaluar nga Elon Musk. Darka elitre ishte e bashkëorganizuar me sipërmarrësin David Sacks në rezidencën e tij në Hollywood Hills.

E cilësuar si darka “anti Biden”, sipas gazetarëve bëhet e ditur se në të u diskutua së tepërmi për mënyrën se si të mblidhen para për të mposhtur demokratët. Sipas medias “Puck” emigracioni ishte një tjetër temë e nxehtë në darkën e organizuar nga personi numër dy më i pasur në botë.

Prej kohësh Musk ka treguar një interes të shtuar për sa i përket politikës në vitet e fundit dhe shpesh shihet në shoqërinë e liderëve botërorë. Ai gjithashtu është treguar shumë aktiv në rrjetin e tij social “X” duke bërë kritika dhe replika për sa i përket situatës aktuale të politikës në SHBA.

Sipas informacioneve tashmë të bëra publike edhe pse darka u emërua si “anti Biden” megjithatë kjo nuk do të thotë se ajo ishte mbështetëse për Donald Trump. Pasi në fakt sipërmarrësi David Sacks në një podcast në vitin 2021 është shprehur se, tashmë Trump me skandalet e ngritura ndaj tij e ka skualifikuar veten për të qenë sërish një kandidat në nivel kombëtar.

Pavarësisht kësaj u mësua se në darkë ishin pjesëmarrës një sërë zyrtarësh të lartë që ose janë mbështetës të Trump ose kanë qëndruar krah tij gjatë mandatit të tij si President. Michael Milken, një financier që Trump e fali, ishte i pranishëm së bashku me Steven Mnuchin, sekretarin e thesarit të administratës Trump.

Në përfundim të festës ishte dhe Rupert Murdoch, ish-kryetar i News Corp që zotëron Fox News, Uber Travis Kalanick, dikur anëtar i Këshillit Këshillimor Ekonomik të Trump, dhe bashkëthemeluesi i PayPal dhe mbështetësi i Trump në vitin 2016, Peter Thiel.

Musk nuk ka mbështetur ende një kandidat në zgjedhjet presidenciale në SHBA këtë nëntor. Miliarderi tha në mars se ai nuk kishte në plan të dhuronte për fushatat presidenciale as për Biden dhe as për Trump. Megjithatë, themeluesi i SpaceX tha se ai votoi për Joe Biden në vitin 2020. Por me anë të një postimi në “X” në janar, ai tha: “Nuk mund ta shoh veten duke votuar për Biden këtë herë”.

Musk ka qëndruar gjithmonë kritik për sa i përket politikave të ndjekura nga Biden për emigracionin. Nga ana tjetër ai nuk është shprehur as si mbështetës i Trump.

Miliarderi i Tesla u tërhoq nga rolet e tij si këshillëdhënës presidencial në administratë e Trump në qershor të vitit 2017 pasi SHBA u tërhoq nga marrëveshja e Parisit për klimën. Që atëherë përplasjet e tij virtuale me Donald Trump kanë qenë jo të pakta.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *