Çfarë nuk është Izraeli

Nga ALDO CAZZULLO

            Kundërsemitizmi ekziston, rritet, duhet pranuar e luftuar. Është në të majtën skajore e në të djathtën skajore (shumë më e shpeshtë, mjafton të mendohen lakoret e disa stadiumeve). Ekziston edhe në rrjeshtimet pro-Palestinës: nëse nuk është kundërsemitizëm grisja e flamurit të Izraelit, pra mospranimi i të qënit, çfarë është? Megjithatë nuk mund t’i shënojmë me gisht në tërësi si kundërsemitë gjimnazistët dhe universitarët italianë, siç orvatet ndonjëri të bëjë. Do t’ishte e padrejtë e nuk do të ndihmonte njohjen e luftimin e kundërsionizmit, atij të vërtetit.

Mbas shumë prej kritikave Izraelit, përtej mëshirës së sinqertë për civilët e Gazës, është edhe kritika që i bëhet Perëndimit, e në veçanti kolonializmit, historisë së tij, trashëgimisë së tij. Nuk është një qëndrim i ri. Duke urryer Perëndimin, në sheshet e viteve të para 70 të rinjtë e së majtës skajore hymnizonin Pol Potin dhe Maon, ndërkohë që ata masakronin milionë bashkatdhetarë të tyre. Kritika e Perëndimit prej kohësh ishte një klasike e mendimit të së djathtës skajore, e pandjeshme ndaj idesë së demokracisë e barazisë mes njerëzve. Qëndrimi që zotëron sot në universitetet anglosaksone por edhe në shumë gjimnaze dhe universitete italiane, është kritika e trashëgimisë së kolonializmit. Dhe këtu duhet të dallojmë ndërmjet teprive ideologjike – duke filluar nga marrëzia e rrëzimit të statujave të Kristofor Kolombit – dhe rishikimit të pashmangshëm të së shkuarës sonë.

Karli III në Kenia kërkon falje për “prapësitë e  kolonializmit”, Scholz bën të njëjtën gjë me Tanzaninë – e lindur nga bashkimi i Zanzibarit me Tanganikën, koloni gjermane deri në luftën e parë botërore, Macroni në fushatën zgjedhore të 2017 shkoi në Algjeri dhe e përcaktoi kolonializmin si “krim kundër njerëzimit”. Nuk jemi duke folur  për skajorë të qëndrave shoqërore por për mbretin e Anglisë, Kançelarin gjerman, presidentin e Republikës franceze. Në fakt të vdekurit e luftës së Algjerisë numërohen në qindra mijra, ata të kolonializmit belg në Kongo me milionë (ne italianët, dihet, jemi njerëz të mirë: dhjetra mijrat viktima në Libi dhe Etiopi janë krejtësisht të munguar në kujtesën kombëtare, madje i kemi ngritur një mauzole “guvernatorit të Adis-Abebës”, Graziani, që bëri të masakrohen priftërinjtë e krishterë të Debra Libanos).

Sigurisht historia nuk është vetëm llogari e përmortëshme. Sepse, duke arsyetuar kështu duhej kujtuar se anglezët e mbanin Hindinë me ushtri të përbërë më së shumti me ushtarë indianë, dhe ploja e Amritsarit ku më 13 prill 1919, gjenerali Dyer hapi zjarr mbi civilët – “një vurratë shënake e turpëshme” ka thënë kryeministreja konservatore Thereza May – është një pikë uji në detin e gjakut të derdhur nga hindutë dhe myslimanët në ditët e Ndarjes; edhe se kritikët skajorë të kolonializmit do të thoshin se edhe ato ploja ishin pasojë e pushtimeve. Por nëse sot Hindia shpallet si një fuqi e madhe, është edhe në sajë të gjuhës së kolonizatorit, amglishtes, që e bën gjuhë të zakonshme  të nënkontinentit dhe e vë në komunikim me botën globale. Rrahja e mendimeve mund të vazhdonte deri në pafundësi. Ajo që është e rëndësishme sot, për t’u përballuar me të rinjtë tanë e për të përsosur aftësinë e të lexuarit të luftës së Gazës e të çështjes izraelo-palestineze, është për të ritheksuar se historia e Izraelit nuk është një histori kolonializmi. Studentët e  mendojnë Izraelin  si pararojën e Perëndimit, e në një farë drejtimi është: por për fat të mirë me që përfaqëson një ishull demokracie, ku qeveritarët kritikohen lirisht kur gabojnë, siç ndodh sot me Netaniahun. Veçanërisht lindja e Izraelit është mjaft e ndryshme nga kolonializmi. Hebrenjtë arritën në Lindjen e Mesme si refugjatë të shpëtuar nga pogromet e Evropës së Lindjes, të mbijetuar të Shoahut. Fuqia koloniale n’atë çast Anglia, mundohej të pengonte ardhjen e tyre, e jo rastësisht u sulmua nga luftëtarët hebrenj, herë herë me metoda terroriste. Pastaj sigurisht arritën ngulimet e kolonëve në Gaza, që u hoqën, e në Çizjordani , ku me Netaniahun janë nxitur; por kjo është një tjetër histori.

Rishikimi i historisë sonë, diskutimi lirisht, është tregues i kulturës kritike e pjekurisë. Është tipike e demokracive e parimeve të tyre, ndërmjet të tyre lirisë së mësimit. Urrejtja, pasiguria mbi vlerat e saj, është shënjë e dobësisë: sepse liria dhe demokracia nuk mund të eksportohen me armë, kryesisht nëse janë të dhëna si një mbrojtje të një zotërimi ekonomik e ushtarak; por liria dhe demokracia mbeten shumë më të mira se sa shtypja dhe tirania. Po ashtu sikurse intoleranca fetare që frymëzon Hamasin dhe aleatët e tij iranianë, dhe agresivitetin e atyre që janë sot kolonializmi i vërtetë: jo ai perëndimor , por ai kinez e rus. Kina shtyp pakicat tibetane dhe ujgure, blen porte  e toka në Afrikë, n’Azi deri n’Evropë, xhvat konçesione dhe monopole. Rusia ndërhyn në Siri e në Libi, ku është shumë aktive Turqia e Erdoganit, që lakmon të risjellë ndikimin e saj në të gjitha provincat e hershme të perandorisë otomane. Nëse ka sot artileri në afërsi të zonave të krizave, nuk mbajnë vetëm flamurët e Perëndimit.

            “Corriere della Sera”, 4 nëntor 2023        Përktheu Eugjen Merlika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com