Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tek sa ka folur në një konferencë për mediat, u ndal te projektligji i buxhetit për vitin 2024. Ai tha se “mbyllja antikushtetuese e Parlamentit i shërben vetëm korrupsionit shtetëror të Edi Ramës dhe qëllimit mafioz për t’i fshehur shqiptarëve buze greminën e madhe financiare ku është vendosur Shqipëria’.
Meta tha se Shqipëria ka sot borxhin, varfërinë, eksportet, të ardhurat dhe shpenzimet më të ulëta në rajon.
Pjesë nga deklarata e Metës:
Pavarësisht përpjekjeve te Qeverise per te konsideruar te suksesshme reformën fiskale planifikimi i te ardhurave tregon pamundësinë e rritjes se kapacitetit te mbledhjes se tyre per shkak kryesisht te informalitetit, te diferencimit te taksimit si dhe te evazionit te larte
Të ardhurat publike nga 28.1% e PBB në vitin 2023 janë planifikuar në ulje në 27.7% e PBB në vitin 2024. Rritja e barrës fiskale per vitin 2024 bazohet tek lojrat akciza e cigareve, lojrat e fatit dhe rritjen e taksimit të profesioneve të lira.
Kjo taksë e fundit, një taksë që stimulon largimin e trurit dëmton veçanërisht profesionet shumë të kërkuara si mjekët por dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Profesionistë të cilët vuajnë një diskriminim fiskal.
Planifikimi i rritjes së të ardhurave tatimore në këtë kohë krize do të duhej të bazohej në rritjen e eficencës së administratës tatimore dhe doganore, minimizimin e shpenzimeve tatimore, uljen e evazionit dhe informalitetit në ekonomi dhe jo në rritjen e barrës fiskale për biznesin dhe qytetaret.
Planifikimi i të ardhurave duhej të shoqërohej me një plan masash për të rritur të ardhurat si rezultat :
I uljes së informalitetit në ekonomi, e cila vlerësohet në mbi 33% nga institucionet ndërkombëtare. Sipas raportit të FMN, « komisioni europian vlerëson nivelin e sektorit informal në ekonomi nga 30 deri në 35% e PBB ». « ndërsa ILO vlerëson se 56.7 % e totalit të të punësurve janë informal »
Uljes së informalitetit në kontributetet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i cili vlerësohet në 41.5% të fuqisë punëtore aktive në tremujorin e dytë të vitit 2023. Numri i të punësuarve 15 – 64 vjeç është 1255840, ndërsa numri i kontribuesve është 734823 punonjës.
Te heqja e përjashtimeve (në total përjashtimet ose shpenzimet tatimore vlerësohen rreth 87 miliard), të cilat nuk janë efikase dhe eficente nga pikëpamja ekonomike dhe sociale
Si dhe nga ulja e evazionit fiskal. Shqipëria ka performancën më të ulët të mbledhjes së të ardhurave publike krahasuar me vendet e rajonit. Në mesataren e rajonit Shqipëria mbledh 28.1% të PBB, ndërsa mesatarja e rajonit është 38.1% e PBB. Shqipëria ka performancë tepër të ulët të mbledhjes së të ardhurave dhe kjo performancë do të përkeqësohet, përkundrejt mesatares së rajonit.
Paketa Fiskale 2024 e propozuar synon të gjenerojnë të ardhura shtesë duke rritur barrën fiskale për akcizën e duhanit, të tatimit mbi të Ardhurat nga Profesionet, nga taksat nacionale, si dhe nga rritja e taksës së karbonit.
Paketa fiskale e propozuar nga Qeveria do të ketë vetëm efekte negative për ekonominë, sepse rrit në vazhdimësi barrën fiskale për biznesin dhe konsumatorët, do të rrisë barrën fiskale për profesionet e lira deri në 23%.
Buxheti tregon fytyrën e tij anti sociale, sepse sipas sektorëve të ndryshëm, ai vetëm i ul shpenzimet sociale. Nuk ka rritje për pagesat e papunësisë.
Fondi për rritjen e pensioneve për vitin 2024 parashikohet vetëm 4.1 miliard lekë (rreth 38 milionë Euro) ose një rritje vetëm 2.1% e fondit total të sigurimeve shoqërore, që nuk realizon as indeksimin për nivelin e inflacionit.
Nuk ka të parashikuar asnjë fond për mbështetjen e familjeve dhe shtresave më të varfëra nga rritja e mëtejshme e çmimeve në vitin në vazhdim dhe në vitin 2024.
Të gjithë sektorët që janë sektorët më të rëndësishëm për nivelin ekonomiko-social të vendit, buxheti parashikohet në ulje.
Është skandaloz financimin e bujqësisë, i cili nga 0.7% e PBB bie ne 0.6% e PBB. Nuk ka rritje të subvencioneve, duke vazhduar të jemi vendi i fundit në rajon për mbështetjen që i japim bujqësisë. (31,7 milionë Euro e gjithë vlera e subvencionit të parashikuar).
Për Arsimin, në përqindje të PBB, buxheti i shtetit për arsimin është rreth 2.1%, pothuajse i njëjti niel me vitin 2023, ndërkohë që problemet në arsim janë rënduar së tepërmi dhe e kundërta duhet të ndodhte, e duhet të kishte një financim të konsiderueshëm, për të mos bërë që të rinjtë të braktisin shkollat, apo mijëra studentë të largohen për të studiuar jashtë vendit.
Në përqindje të PBB, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është ulur nga 3.28% e PBB në vitin 2023 në 3.21 % e PBB në vitin 2024. Ndërkohë që duhet të kishte një rritje të konsiderueshme edhe për shkak të pasojave afatgjata të shkaktuara nga pandemia mbi shëndetin e qytetarëve.
Një ulje të konsiderueshme tregon buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Buxheti i vitit 2024 është ulur nga 61.9 miliard lekë (rreth 580 milionë Euro) në buxhetin e vitit 2023, në 52.8 miliard lekë (rreth 500 milionë Euro) në vitin 2024. Ose nga 2.7 % e PBB në vitin 2023, në 2.2% e PBB në vitin 2024.
Zëri Investimet publike, përfshirë fondin e rindërtimit ulet me 76 milionë Euro.
Pra kjo qeveri nuk shton fondet për arsimin, për të mbështetur bujqësinë shqiptare, apo për të rritur investimet në infrastrukturë; por financon me paratë e taksapaguesve koncesionet korruptive, të thellojë borxhin dhe të shtojë punësimin e patronazhistëve duke fryrë administratën.
Shpenzimet për financimin e koncesioneve PPP me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit nga viti 2018-2024 ka qenë 800 milionë euro dhe edhe këtë vit do të vazhdojnë.
Shpenzimet për koncesionet/PPP me financim buxhetor rriten me 9.2%, nga 13.08 miliard lekë në vitin 2023 (rreth 124 milionë Euro), në 14.29 miliard lekë (rreth 136 milionë Euro) në vitin 2024.
Borxhi Publik i Shqipërisë është në kushtet më të pavaforshme, dhe ky është një alarm që duhet të shqetësojë çdo shqiptar.
Totali i kostos së shërbimit të borxhit në vitin 2024 do të arrijë një shumë të lartë, në 118.2 miliard lekë (rreth 1,1 miliard Euro). Nga këto, vetëm për të mbuluar koston e interesave të borxhit shpenzimet do të rriten me 9%, pra nga 60.9 miliard lekë (afërsisht 590 milionë Euro) në vitin 2023, në 66.2 miliard lekë (afërisht 650 milionë Euro)në vitin 2024.
Është kritike, eficenca shumë e ulët e borxhit, që praktikisht merret borxh për të larë borxh dhe jo borxh për të prodhuar zhvillim. Sepse, kostoja e borxhit për periudhën 2014-2024, është 910 miliard lekë (rreth 8 miliard Euro).
Ndërkohë kur në periudhën 2003-2013, kosto e borxhit ka qenë pothuajse gjysma, 462 miliard lekë (rreth 4 miliard Euro)”.