Berisha paralajmëron padi ndaj deputetit gjerman: Përdori lidhjet me Bashën për të mashtruar shqiptarët

Vetëm pak minuta pasi deputeti gjerman, Gynter Krishbaum tha se ndaj Sali Berishës rëndojnë akuza të rënda dhe se imuniteti mund të pezullohet nga autoritetet ligjzbatuese, ka ardhur dhe reagimi i ish-Kryeministrit. Përmes një konference online me qytetarët, Berisha paralajmëroi padi ndaj tij duke e akuzuar si gënjeshtar dhe i blerë.

“E garantoj Gunther Krichbaum se do i jap mundësi në sallën e gjyqit të justifikojë qëndrimin e tij amoral. Në një mashtrim publik para shqiptarëve, ka mbrojtur veprimin pa autorizimin e Parlamentit, të SKAP-it të partisë dhe gjykatëses së saj. Ky është mashtrim i një njeriu i paguar apo i papaguar, por që turpëron veten në radhë të parë. Lidhjet tuaja me Lul Bashën nuk duhet t’i përdorësh për të mashtruar e dizinformuar një popull të tërë.”

Për pretendimet e ngritura nga Krishbaum para gazetarëve, Berisha solli si referencë një nen të ligjit gjerman që tha se përcakton mënyrën e kufizimit të lirisë së deputetit.

“Je një gënjeshtar. Fillimin e hetimit nuk mund ta bëjë Prokuroria pa marrë lejen e kryetarit të Parlamentit. Në nenin 46, kryetari i Parlamentit jep lejen, hetimi fillon pas 48 orësh, ndërkohë kryetari i Parlamentit, informon kryetarin e komisionit për autorizimin që ka dhënë dhe ky i fundit, informon deputetin.”

Duke e cilësuar politik procesin e nisur nga SPAK-u ndaj tij dhe Jamarbër Malltezit, Berisha vijoi sërish me akuza ndaj kryeministrit dhe SPAK-ut, teksa paralajmëroi betejë pa kthim në parlament dhe sheshe me qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *