Vetëm pak minuta pasi deputeti gjerman, Gynter Krishbaum tha se ndaj Sali Berishës rëndojnë akuza të rënda dhe se imuniteti mund të pezullohet nga autoritetet ligjzbatuese, ka ardhur dhe reagimi i ish-Kryeministrit. Përmes një konference online me qytetarët, Berisha paralajmëroi padi ndaj tij duke e akuzuar si gënjeshtar dhe i blerë.
“E garantoj Gunther Krichbaum se do i jap mundësi në sallën e gjyqit të justifikojë qëndrimin e tij amoral. Në një mashtrim publik para shqiptarëve, ka mbrojtur veprimin pa autorizimin e Parlamentit, të SKAP-it të partisë dhe gjykatëses së saj. Ky është mashtrim i një njeriu i paguar apo i papaguar, por që turpëron veten në radhë të parë. Lidhjet tuaja me Lul Bashën nuk duhet t’i përdorësh për të mashtruar e dizinformuar një popull të tërë.”
Për pretendimet e ngritura nga Krishbaum para gazetarëve, Berisha solli si referencë një nen të ligjit gjerman që tha se përcakton mënyrën e kufizimit të lirisë së deputetit.
“Je një gënjeshtar. Fillimin e hetimit nuk mund ta bëjë Prokuroria pa marrë lejen e kryetarit të Parlamentit. Në nenin 46, kryetari i Parlamentit jep lejen, hetimi fillon pas 48 orësh, ndërkohë kryetari i Parlamentit, informon kryetarin e komisionit për autorizimin që ka dhënë dhe ky i fundit, informon deputetin.”
Duke e cilësuar politik procesin e nisur nga SPAK-u ndaj tij dhe Jamarbër Malltezit, Berisha vijoi sërish me akuza ndaj kryeministrit dhe SPAK-ut, teksa paralajmëroi betejë pa kthim në parlament dhe sheshe me qytetarët.