Ish-Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se Kryeministri Edi Rama po përgatit të tjera ndryshime në qeveri. Teksa foli pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se me ndryshimet në qeverisë synohet konsolidimi i krimit.
“Ndërkohë, po bëhen gati riformatime të tjera të qeverisë të cilat synojnë asgjë tjetër veçse konsolidimin e krimit në këtë qeveri. Unë ju thashë, futja e Taulant Ballës ishte dorëzimi përfundimisht i rendit tek krimi.
Por tani po shqyrtohet futja edhe e të tjerëve në mënyrë që krimi të saldohet dhe t’i mbetet popullit shqiptar për ta përmbysur atë në kohën më të shpejtë. Ka një klimë të ndezur në publik, ka një zemërim të madh për shkelmimin e të drejtave të opozitës në parlament, ka një urrejte të madhe ndaj krimit dhe revanshit të tij në qeveri. kështu që koha e një lëvizje me mosbindje civile në të gjitha aspektet po vjen dhe jam i sigurt në fitoren e saj”.
I pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, mbi vrasjen e Aleks Nikës, Berisha u përgjgj: “Nuk e kam lexuar dhe nuk kam asnjë koment. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë pengesë hetimi nga Sali Berisha. Dosjet janë aty, vlerësimet që ka bërë gjykata”.