Nënkryetari i Partisë Demokratike të drejtuar nga Basha, Roland Bejko ka reaguar për herë të parë për çështjen e vënies në hetim dhe masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Bejko shprehu edhe njëherë mbështetjen për SPAK, teksa shtoi se kjo situatë tregoi sërish se Berisha për hallin e tij po dëmton demokratët.
“Halli i Sali Berishes nuk është dhe nuk duhet të jetë më halli i demokratëve, as i shqiptarëve. Kriza e Sali Berishës, nuk mund të jetë edhe kriza e PD, as e demokracisë shqiptare.
Qysh prej ditës së parë kur ai vendosi të kthehej me foltoret e tij, e kemi thënë se Berisha për hallin e vet e çoi në shkatërrim PD duke e përdorur atë si një kullë ngujimi nga frëngjitë e së cilës qëlloi qysh atëherë, edhe sot akoma, me gjylet e gënjeshtrave këdo që është kundër tij; sa nga Lul Basha te SHBA-të. Sa nga ambasadorja amerikane, tek ai i Britanisë së Madhe”, shkruan mes të tjerash Bejko.