Berisha me Kryesinë: Dhëndrin ma arrestuan se duan të na asgjësojnë! Çohuni në protestë për familjen time

Gjykata e Posaçme për të dytën ditë me radhë kërkonte që të përballej me Sali Berishën, por kreu i Rithemelimit zgjodhi që mbrojtjen ta bënte nga selia blu. Ai mblodhi Kryesinë ku komunikoi vendimin e grupit parlamentar për betejën e nisur në Parlament.

“Mendoj se mbledhja e grupit parlamentar i dha përgjigjen më të shkëlqyer kësaj situate. Deputetët vendosën të fillojnë vetë betejën. Ta fillojnë në parlament, aty ky shkelmimi i përfaqësimit të interesave të qytetarëve shqiptarë është në shkallë ekstreme”, tha Berisha.

Ish-kryeministri kërkoi nga të tijtë mobilizim, pasi tha se akuza e ngritur nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, është sulm ndaj reformave të Partisë Demokratike.

“Mesazhi im është të bëjmë gjithçka, të shpërndahemi në mbarë vendin në një dialog, në një emergjencë. Thashë edhe njëherë ky është kapitulli i fundit dhe këta nuk kanë fund fare se ky nuk ndalet në betejën e asgjësimit të opozitës”, shtoi ish-kryeministri.

Pas mbledhjes së Kryesisë që zgjati gati dy orë, ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i doli në mbrojtje Berishës duke thënë se hetimi ndaj tij është politik.

“Është e paprecedentë që republika parlamentare të zëvendësohet me republikën e prokurorëve që nuk njohin Kushtetutën e vendit”, tha Topalli.

Për sekretarin e Përgjithshëm të Rithemelimit, Flamur Noka, reagimi i opozitës duhet të jetë ekstrem duke propozuar mosbindjen civile.

“Përballë një regjimi ka vetëm një rrugë për mua si person, mosbindja civile për ta zhbërë nga rrënjët një regjim kriminal e korruptiv”.

Kryesia e Partisë Demokratike të Rithemelimit diskutoi për rreth 2 orë për mënyrën e reagimit pas nisjes së hetimeve për Sali Berishën. Në tryezë u hodhën idetë për nisjen e një serie takimesh me bazën dhe nisja e protestave, por vendimi do merret të premten në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com