Bashkia e Tiranës miraton Buxhetin e vitit 2024, nga subvencionimi i qirasë te bursat për nxënësit, si do të shpërndahen

Buxheti i vitit 2024 për Bashkinë e Tiranës u miratua pa shumë debat në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit.

Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak uroi gjithë shqiptarët për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, teksa renditi edhe disa nga pikat kryesore të buxhetit që u miratuan.

Projektvendimi për trajtimin me subvencionin e qirasë të disa familjeve në nevojë që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë, është një nga pikat e buxhetit për vitin 2024 për të vijuar më pas me miratimin e familjeve aplikuese që do të përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike.

Gjithashtu në mbledhje u votua pro edhe për bonusin e qirasë të individëve dhe familjeve, pasuritë e të cilëve preken nga zbatimi i projektit të segmentit rrugor “Unaza e Madhe e Tiranës, Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Shkozë”.

Një tjetër pikë e rëndësishme e buxhetit të vitit të ardhshëm është miratimi i listave të nxënësve të arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike, që përfitojnë bursa dhe pagesa, për vitin shkollor 2023-2024.

Këshilli Bashkiak vendosi edhe për miratimin e nivelit të pagave të punonjësve në institucionet e varësisë, njësive administrative dhe policisë bashkiake, përdorimin e simbolit “B40 Balkan Cities Network” në kuadër të mbajtjes së presidencës së “Rrjetit B40 të qyteteve të Ballkanit” gjatë vitit 2024”, krijimin dhe organizimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kopshtit Zoologjik si institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, ndryshimin e buxhetit afatmesëm të Bashkisë së Tiranës për vitin 2023, si edhe miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2024”

Pavarësisht kontestimit të këshilltarëve bashkiakë të opozitës, teksa Endreti Braimllari i partisë së Lirisë, i dhuroi një palë pranga kryebashkiakut Erion Veliaj në momentin që ai po fliste mbi prioritetet e vitit 2024, bashkia e Tiranës miratoi buxhetin me votat e socialistëve për vitin që vjen.

“Erion Veliaj i tmerruar nga prangat e SPAK kalon buxhetin e qytetareve te Tiranës për 5 min pa diskutim. 330 Milion euro buxhet u kaluan pa diskutim sepse Veliaj nuk pranon dot të vërtetat e korrupsionit të tij. Inceneratori duhet te hetohet deri ne fund, nuk ka drejtësi pa shkuar tek Erion Veliaj ai është përgjegjësi kryesor”, tha Veliaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *