Dritan Metaj, shefi i Komisariatit të Laçit, është arrestuar nga policia gjatë megaoperacionit të SPAK të koduar “Flakë në det”, që është vijim i aksionit të para disa muajve.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë të posaçme për shtyp pasditen e së hënës, ka bërë të ditur se 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim lidhur me këtë operacion.
Ata janë Gëzim Çela, Arben Dalipaj dhe Roland Guxa. Sipas Rrumbullakut, të tre këta persona ndodhen jashtë Shqipërisë.
Gëzim Çela nga Kurbini njihet si “baron i drogës” në Fushë Kuqe.
Ndërkohë, hetimet po vijojnë ende edhe për sekuestrimin e pasurive të patundshme të personave të përfshirë në këtë trafik droge.
Megaoperacioni i sotëm është vijim i atij të para disa muajve në det, ku në një velierë u kap 1 ton kanabis që po tentohej të shkëmbehej në det me kokainë.
Trafikantët, kur konstatuan forcat e policisë, i vendosën zjarrin velierës në mes të detit. Policia arrestoi 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas në operacionin e para disa muajve në mes të detit.
KOMUNIKATA E DREJTORIT TË POLICISË SË SHTETIT MUHAMET RRUMBULLAKU:
Në vijim të hetimeve intensive dhe të pandërprera në kuadër të operacionit “Flakë në det”, të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata krimianle dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit:
Gëzim Çelaj, banues në Fushë Kuqe;
Arben Dalipaj, banues në Vlorë;
Roland Guza, banues në Durrës;
Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç.
Ditën e sotme, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shefin e Komisariatit të Policisë Laç, Dritan Metaj, ndërsa 3 shtetasit e tjerë janë shpallur në kërkim. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, po punon intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre, pasi nga informacionet dhe verifikimet e deritanishme rezulton se këta 3 shtetas janë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vazhdon operacioni në terren për sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasve Gëzim Çelaj, Nderim Çelaj, Arlind Ismailukaj dhe personat e tjerë të lidhur me ta, duke përfshirë shoqërinë tregëtare, automjete, mjete lundruese dhe asete të tjera.
Megaoperacioni ”Flakë në det”, hetimet e kryera dhe veprimet e sotme, konfirmojnë vendosmërinë e Policisë, për të luftuar në bashkëpunim me partnerët krimine organizuar, por edhe përforcojnë këmbënguljen tonë për t’u vetëpastruar nga çdo individ, i cili uniformën e Policisë e përdor në shkelje të betimit të tij, duke mos i shërbyer shërbyer ligjit, shoqërisë, mbrojtjes së jetës dhe të drejtave të qytetarëve.
Duke përfituar nga rasti, i bëj thirrje çdo qytetari, që të mos hezitojë të informojë për çdo veprim të punonjësve të Policisë në shkelje të detyrës, pasi vetëpastrimi në radhët e Policisë së Shtetit, nuk është për ne një fushatë, por një prioritet dhe një proces i pandërprerë për të ndërtuar një Polici me integritet të lartë moral e profesional, për t’iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor.
Siguroj qytetarët se Policia e Shtetit, është maskimalisht e vendosur për të luftuar me forcën e ligjit çdo fenomen kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike, si dhe jetën dhe pronën e qytetarëve.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, dhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm si dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë operacionet për goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
OPERACIONI FLAKË NË DET:
Nga Lugina e Patokut dyshohet se u nisën mbi 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Grupi i trafikantëve u zbulua në bazë të përgjimeve që po kryen SPAK për një tjetër çështje penale.
Hetuesit kanë dyshimë se veliera me emrin “Nilua” që u dogj nga dy shtetasit ukrainas dhe u fundos në det, mund të jetë nisur nga Turqia, ka ndaluar në Greqi, Mal të Zi dhe më pas në ujrat neutrale mes Shqipërisë dhe Italisë, ku do të bëhej shkëmbini i drogës. 4 shqiptarët e arrestuar dhe 2 ukrainasit nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë.
Ata kanë mohuar që të kënë lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. Spak do kërkojë informacion në Turqi, Greqi dhe Mal të Zi për velierën me emrin “Nilua” në mënyrë që të zbulojë edhe personat e tjerë që mund të janë të përfshirë në këtë çështje. Drejtuesit e mjeteve lundruese janë takuar disa milje në det në drejtim të Kepit të Rodonit.
Veliera kishte hyre në ujrat tona territorial pa marrë leje. Forcat e policisë ndërhynë menjëherë në momentin që ato u pikasën nga dy shtetasit ukrainas. Drejtuesit e velierës i vunë menjëhere flakën mjetit, në të cilën dyshohet se ndodhej lënda narkotike.
Mes të arrestuarve është edhe ish-polici Arlind Ismailuka, në celularin e të cilit janë gjetur edhe disa sms të dyshimta. Gjatë operacionit policia dhe SPAK sekuestruan dy pistoleta fishekë, rreth 50 mijë Euro, 25 celularë të cilët janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore për tu zbërthyer dhe 23 kg kanabis që u hodh në det nga të dyshuarit.