Ish-gazetari i Zërit të Amerikës dhe studiuesi Ilir Ikonomi sjell librin e ri biografik, dedikuar një prej figurave më të njohura shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, Fan Nolit. Biografia e re do të vijë me disa vëllime dhe i pari, i cili promovohet këtë të martë (7 nëntor) ora 13:00, në Universitetin Europian të Tiranës, titullohet “Apostulli” dhe vjen nën logon e shtëpisë botuese UET PRESS.
Ky është libri i katërt i nga kjo shtëpi botuese, pas librave “Pushtimi”, “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”, “Esat Pashe Toptani, njeriu, lufta, pushteti” dhe njëkohësisht biografia e katërt e autorit, i cili zbulon disa prej figurave të spikatura e intelektuale të kohës.
Në këtë vëllim prej 430 faqesh, botim i UET Press, Ikonomi na jep një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me arritjen e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri.
Biografinë e dallon detaji dhe elementët konkretë me të cilët autori ka ndërtuar figurën e Fan Nolit dhe mjedisin ku ai jetonte në Bostonin e fillimshekullit të 20. Ikonomi ka përdorur një fond të gjerë të dhënash historike, që përfshin Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake, dhe disa burime të tjera dokumentare. Shtypi i shqiptarëve të Amerikës i ka shërbyer autorit si një tjetër bazë e rëndësishme, për të sjellë frymën dhe mendësinë e kohës në të cilën jetoi Noli.
Mjedisin ku vepronin shqiptarët e Amerikës Ikonomi nuk e pasqyron si një fushë të gjelbër pikniku, por si një shesh beteje, plot me përplasje dhe kundërshti, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Fan Noli jepet në libër si një figurë në rritje, që i duhej të ndeshej me kundërshtarë, shpesh të pamëshirshëm. Kjo i shton librit ngjyrë dhe një dimension të ri. Në vend të një fotografie, lexuesi e shijon atë si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen.
Autori ka gërmuar në dokumentacionin që lidhet me krijimin e kishës së parë shqipe nga Fan Noli në vitin 1908 dhe na sjell përshkrime mbresëlënëse të rrethanave të vështira në të cilat ai i hyri kësaj vepre të pashoqe, që kërkonte erudicion dhe trimëri mendore. Në mënyrë konkrete, Ikonomi dokumenton motivet që e shtynë Nolin të bëhej prift dhe lidhjet që krijoi me kishën ruse të Amerikës. Autori jep gjithashtu hollësitë se si ndodhi shkëputja e Nolit nga Sinodi Rus dhe se si këmbëngulja e tij për t’u bërë peshkop në vitin 1919, çoi në përçarjen e priftërinjve shqiptarë të Amerikës.
Noli ka qenë një personazh i shumanshëm dhe autorit i është dashur të shkrijë në libër një material biografik që ngërthen disa fusha njëherazi.
Krahas punës me kishën, që përfshinte detyrën e vështirë të përkthimeve fetare nga greqishtja në shqip, Noli u mor me mobilizimin e komunitetit për kauza të tilla patriotike, siç ishte zgjimi kulturor i shqiptarëve të disaporës. Deri në vitin 1907, ai punoi për gazetën e parë shqipe “Kombi” dhe, në shkurt 1909, themeloi të përjavshmen “Dielli”. Në vitin 1912, u bë një ndër krijuesit e Federatës “Vatra” të Amerikës. U mor me publicistikë dhe shquhej për fjalimet e konferencat me përmbajtje politike. Dalëngadalë i hyri punës së vështirë të shqipërimit. Kontributet dhe betejat e Nolit në të gjitha këto fusha, Ikonomi i sjell mjeshtërisht, në mënyrë kronologjike dhe të shkrira në një të vetme.
Autori nuk përpiqet ta sugjestionojë ose impresionojë lexuesin. Siç shprehet historiani amerikan Bernd Fischer, i cili ka trajtuar disa figura të historisë shqiptare, “ndryshe nga shumë biografë shqiptarë të Fan Nolit, Ilir Ikonomi di ku ta vendosë kufirin; ai di të mbajë distancë dhe të mos nxitohet në opinione. Qasja e tij e ekuilibruar është në shumë drejtime e dallueshme dhe sigurisht e mirëpritur”.
Ikonomit nuk i mungon përvoja në trajtimin e figurave të historisë shqiptare. Ashtu si në botimet e tjera, siç janë librat për Faik Konicën, Ismail Qemalin dhe Esat pashë Toptanin, Ikonomi e ndërton rrëfimin jo duke moralizuar, por duke ilustruar me shembuj konkretë. Ai flet vetëm me fakte. I qëndron larg asaj që praktikojnë disa autorë, të cilët duke mos patur fakte dhe dëshmi, priren të mbushin faqe të tëra me filozofime pa substancë.
Në këtë libër të Ikonomit, jeta e Nolit jepet e lidhur ngushtë me sfondin historik të Shqipërisë. Lexuesi ka rast të krijojë një ide të mirë se nëpër çfarë ndryshimesh po kalonin fatet e vendit në atë periudhë tronditjesh gjeopolitike që përjetonte Ballkani. Kjo ishte periudha e tërheqjes së perandorisë turke nga gadishulli, që solli krijimin nga fuqitë e mëdha të principatës shqiptare me një mbret të huaj. Erdhi pastaj shpërthimi i luftës botërore që u pasua me konferencën e paqes në Paris, ku Shqipëria i shpëtoi mrekullisht copëtimit nga fqinjët. Noli la shenjën e tij në të gjitha këto zhvillime dramatike.
Lexuesit sqimatarë, që kanë sy dhe dëshirë për të zbuluar të shkuarën, do të gjejnë në librin e Ikonomit Fan Nolin e vërtetë, me talentet dhe entuziazmin për të nisur punë të mëdha, por edhe me egon dhe shpërthimet e tij të papritura. Libri lexohet pa e ndalur frymën. Apostulli të tërheq me ritmin dhe shtjellimin e episodeve në trajtën e një rrëfimi të gjallë, si të ishte një roman historik dhe lexuesi pret të gjejë të njëjtin trajtim objektiv dhe të paanshëm në vëllimin pasardhës që autori shpreson ta sjellë në vitin 2024.
Libri është i pajisur me shënime të hollësishme në fund të faqeve dhe me një tregues emrash.