Arma nuk është ende funksionale, por mund të vërë në rrezik rrjetin jetik satelitor të SHBA-së dhe ka shkaktuar shqetësime të mëdha sigurie.
Rusia po zhvillon një armë bërthamore me bazë hapësinore, të projektuar për të goditur satelitët. Sipas amerikanëve arma e Putin që ka ngjallur shqetësime për sigurinë nuk është ende funksionale, por mund të vërë në rrezik rrjetin jetik satelitor të SHBA-ve.
Edhe pse Moska i ka mohuar akuzat e amerikanëve, kreu i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, Mike Turner, i bëri thirrje presidentit Joe Biden të deklasifikonte informacionin për “një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare“.
Kongresmeni republikan nuk dha detaje rreth natyrës së kërcënimit, por një ndihmës duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se nuk ishte ende e qartë nëse arma ruse ka aftësi bërthamore, por pikërisht kësaj i druhet Amerika.
Nga ana e saj, Rusia hodhi poshtë këto raporte të enjten. Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS i përshkroi ato si një “fabrikim dashakeq” dhe një mashtrim nga Shtëpia e Bardhë që synon të detyrojë ligjvënësit amerikanë të miratojnë më shumë para për t’iu kundërvënë Moskës.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për TASS: “Është e qartë se Shtëpia e Bardhë po përpiqet, me grep apo me karrem, të inkurajojë Kongresin që të votojë një projektligj për ndarjen e parave, kjo është e qartë.”
Megjithatë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë pranuar se çështja është serioze, por se ka mënyra për ta “përmbajtur” panikun e krijuar nga ky kërcënim pa shkaktuar histeri masive.
Disa politikanë kryesorë, përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, kanë paralajmëruar që amerikanët të mos jenë tepër të alarmuar.
Turner u dërgoi një e-mail anëtarëve të Kongresit të mërkurën duke thënë se komiteti i tij kishte “identifikuar një çështje urgjente në lidhje me një aftësi ushtarake të huaj destabilizuese që duhet të jetë e njohur për të gjithë politikëbërësit e Kongresit”.
/a.r