Amerika ngre zërin për Rafahun, paqja në Gaza vjen nga Egjipti, Hamasi po pranon planin

Paqja në Gaza po nis të duket në horizont. Ajo po vjen nga ana tjetër e kufirit, në Egjipt, ku prej javësh po negociohet një plan për uljen e armëve mes palestinezëve dhe ushtrisë izraelite në enklavë.

Mediat në Kajro raportojnë për progres të madh në bisedime dhe për arritjen e një formule për zgjidhjen e pjesës më të madhe të qëndrimeve të kundërta.

Bëhet e ditur se Hamasi ka miratuar fazën e parë të një marrëveshje me 3 hapa për lirimin e pengjeve, në këmbim të garancive amerikane për një tërheqje të plotë të forcave të Tel Avivit nga Gaza në harkun kohor të 124 ditëve.

Pakti parashikon dhe premtimin e mbështetur nga Amerika që Izraeli të mos nisë operacionin ushtarak të planifikuar për në Rafah, ku qëndrojnë miliona palestinezë të zhvendosur.

Në fazën e dytë të këtij plani që zgjat 42 ditë, duhet të lirohen të gjithë pengjet dhe palët do të pajtohen për kushtet e kthimit të qetësisë në Gaza.

Në fazën e fundit, po me 42 ditë, do të bëhet dorëzimi I trupave të pajetë. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara ngritën zërin edhe njëherë kundër ofensivës tokësore izraelite në Rafahun jugor.

Sekretari i shtetit, Antony Blinken, paralajmëron Tel Avivin se një sulm i tillë do të shkaktonte dëme të papranueshme për komunitetin ndërkombëtar.

Sakaq, media franceze Le Monde, raporton se në Bankën Palestineze të Gazës janë vjedhur 66 milionë euro. Nuk dihet kush mund ta ketë kryer këtë krim, por ushtria izraelite raporton se ka gjetur një shumë të madhe parash në Gaza.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com