Shiu i një viti ka shkaktuar përmbytje të mëdha në Dubai, ndërsa rrugët u kthyen në lumenj dhe uji i vrullshëm përmbyti shtëpi dhe biznese.
Videot kanë bërë xhiron e botës teksa pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait, më i ngarkuari në botë u mbulua nga uji , ndërsa fluturimet u anuluan për shkak të erërave të forta, rebesheve si dhe dukshëmërisë së ulët.
Avionët e mëdhenj dukeshin më shumë si varka që lëviznin nëpër aeroportin e përmbytur. Më shumë se 140 milimetër shi ra gjatë vetëm 12 orëve të fundit në Dubai që sipas meterologëve, kjo sasi reshjesh zakonisht regjistrohet në një vit të tërë.
Disa shoferë u detyruan të braktisnin automjetet e tyre dhe rrugët dhe disa autostrada u bllokuan.Video nga mediat sociale tregoi ujin që vërshonte nëpër një qendër tregtare të madhe dhe përmbyti katet përdhes të shtëpive. Autoritetet anuluan mësimin në shumë shkolla dhe qeveria vendosi në fuqi përsëri punën në distancë.
Ashtu si pjesa tjetër e Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai ka një klimë të nxehtë dhe të thatë. Si i tillë, reshjet janë të rralla dhe në shumë zona ka infrastrukturë të kufizuar si kullimi për të trajtuar ngjarjet ekstreme. Në Omanin fqinj, në skajin lindor të Gadishullit Arabik, Komiteti Kombëtar i vendit për Menaxhimin e Emergjencave tha se të paktën 18 njerëz kanë humbur jetën nga shirat e dendur gjatë ditëve të fundit ku në mesin e të vdekurve ishin 10 nxënës të shkollës.
/a.r