A është Shqipëria shteti ku Kosova mund të ngrejë padi për gjenocid ndaj Serbisë? Përgjigjet Peleshi

“Nuk kam dijeni për këtë proces dhe nuk mund të jap detaje, nuk jam i informuar, mbase në daljen tjetër ose me ministrin përkatës mund ta bëni këtë pyetje”. Këtë përgjigje i dha gazetares së A2 CNN Fjorela Beleshi, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, kur u pyet nëse është Shqipëria shteti ku Kosova mund të mbështetet për të ngritur padi për gjenocid ndaj Serbisë.

Gazetarja Beleshi: Zoti ministër, qeveria e Kosovës po bëhet për të ngritur padi për gjenocid ndaj shtetit serb, por i duhet ndihma e një shteti tjetër që është pjesë e OKB. Burimet pranë Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë bëjnë me dije që e kanë gjetur shtetin. A është Shqipëria shteti ku Kosova mund të ngrejë padi?

Ministri Niko Peleshi: Nuk kam dijeni për këtë proces dhe nuk mund të jap detaje, nuk jam i informuar, mbase në daljen tjetër, ose me ministrin përkatës mund ta bëni këtë pyetje.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi foli edhe për vendimin e marrë sot për ngritjen e një komisioni të drejtuar prej tij për festimet e 80-vjetorit të çlirimit që sipas tij, synojnë të nxisin atdhedashurinë te brezat e rinj.

“Sot Këshilli i Ministrave ka marrë projektvendimin për shpalljen e viti mbarëkombëtar për festimet për 80-vjetorin e çlirimit të vendit e ngritjen e komisionit për organizimin e festimeve gjithëvjetore për 80-vjetorin e çlirimit. Drejtohet nga Ministri i Mbrojtjes dhe ka në përbërje disa ministra dhe drejtues të disa institucione si drejtoria e arkivave, Biblioteka Kombëtare dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, organizata e veteranëve dhe familjet e dëshmorëve. Nuk do të jetë vetëm për 29 nëntorin, por do të jetë përgjatë gjithë vitit jo vetëm evente festive, por edhe shkencore, të ndryshme që synojnë të nxisin atdhedashurinë për atdheun te brezat e rinj. Do të jetë një vit që integron shumë organizata”.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *