Historia bijë e luftrave (që duan t’a harrojnë)

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA

Pak herë, si në këto kohë ka ndodhur që të jetë ndjellur dhe thirrur “detyra e kujtesës”, megjithatë asnjëherë si sot për kujtesën, e pra për të shkuarën, duket se është humbur çdo njohuri e gjallë dhe e vërtetë. Kështu sot të paktë janë ata që kujtohen për historinë tonë, aq më pak për një pikë qenësore të saj: raportit të ngushtë që ajo histori ka themeluar ndërmjet armëve dhe demokracisë, ndërmjet luftës dhe lindjes së regjimeve demokratike të kontinentit tonë.
Lufta e parë botërore, për shëmbull, pa tjetër qe një ”plojë e kotë”, përveç zanafillës së shumë pështjellimeve që sollën njëzet vite më vonë në të dytën: megjithatë ajo qe n’Evropë edhe origjina e shëmbjes së tre peranorive reaksionare e lindjes së një numëri të mirë shtetesh, nga Estonia në Çekosllovaki, nga Polonia në Hungari. Shtete kombëtare e të pavarur: dy cilësi vendimtare për të bërë të mundur një regjim demokratik.
Por nëse në Evropën e sotme një regjim i i këtillë është rregulli, nëse në kontinentin tonë kulturat politike të së djathtës e të së majtës kundërdemokratike, në fakt janë fshirë, merita (a mund t’a përdorim këtë fjalë?) është e vështirë të mos i njhet përfundimit si të luftës së tmerrshme që zotëroi nga 1939 deri në 1945, si atij lloj vazhdimi jo të luftuar që qe “lufta e ftohtë”: dy fakte që së bashku përcaktuan fitoren përfundimtare (në rastin e dytë mbi Bashkimin Sovjetik) të Shteteve të Bashkuara. Deri në prova të kundërta, vetëm nga një nyje e tillë ngjarjesh të zotëruar tërësisht nga përmasa luftarako-ushtarake ka lindur demokracia evropiane që njohim prej dhjetëvjeçarësh. Edhe njëherë, siç e donte urtësia greke, “polemos” lufta, është treguar “zanafilla e të gjitha gjërave”.
Ky fakt i vetëm do të duhej të shtynte në ndonjë përsiatje (të trishtueshme sa të duash por realiste) të gjithë ata të cilët mendojnë se lufta përbën në vetvete një të keqe. Sigurisht që është ashtu. Por herë herë përveç asaj nuk ka asgjë tjetër të aftë për të shmangur një të keqe edhe më të madhe. Hera herës për të shmangur humbjen e lirisë, mënjanimin e një jete në skllavëri, pritmërinë e shfarosjes së popullit tënd e të kulturës së tij, është e mundur vetëm duke përballuar rrezikun e vdekjes ose atë të vrasjeve.
Të vrasësh edhe civilë të pafajshëm , edhe gra, pleq e fëmijë, të vrasësh për të vrarë. Pra të kryesh atë që sot tre katër traktate apo marrëveshje ndërkombëtare i përcaktojnë si krime lufte. Si ata që, duke i qëndruar kritereve të sotme, pa dyshim kryen fitimtarët e luftës së dytë botërore, Aleatët, pa fitoren e të cilëve, nuk do të kishte patur sot demokraci n’Evropë.
Në krye të një Britanie të Madhe, të mbetur vetëm kundër Raihut të Tretë, zot të Evropës. Churchill-i në fillim të 1941 u bind se e vetmja përgjigje e mundëshme do t’ishte “an absolutely devastating exterminating attack” mbi Gjermaninë nga ana e bombardierëve të rëndë anglezë. Programi u çua në fund. Në 400.000 mësymje Royal Air Force hodhi mbi territorin armik një milion tonelata bomba. Shumë qytete gjermane u rrafshuan, duke parë të vdisnin në një natë të vetme një të tretën e banorëve të tyre. Në gjithësi humbën jetët 600.000 civilë gjermanë e në fund të luftës numëroheshin diçka si 7 milionë e gjysëm të pastrehësh. Praktikisht – siç lexohet në një libër prej të cilit janë nxjerrë të gjitha këto të dhëna, Historia natyrore e shkatërrimit e W. G. Sebald, Adelphi botime – në Gjermani “jeta qytetare pothuajse ishte fshirë”.
Në një skenar rrënqethës që këto faqe na rikthejnë në hollësitë e teknikave të bombardimeve, për shëmbull me bomba me fosfor, enkas të ndërtuara për të vrarë sa më shumë njerëzish të mundëshëm. Në “operazionin Gomorra” mbi Hamburgun, një lloj ere zjarri u derdh nëpër rrugë me shpejtësi njëqind e pesëdhjetë kilometra n’orë, asfalti i tyre u shkri, trupa të shqyer tmerrësisht u katandisën në një të tretën e madhësisë së tyre natyrore. Jo pak të mbijetuarish ranë në një gjëndje çmëndurie.
Qe një lloj lufte çnjerëzore, karakteri i së cilës shkaktoi dyshime e kundërshti morale që u ndjenë edhe në Dhomën e Lordëve dhe në vetë rradhët e forcave t’armatosura. Nuk është e rastit që asnjëri nga antarët e ekipeve të bombarduesve anglezë – humbjet e të cilëve në veprime arritën përqindjen e llahtarëshme të 60 % – , asnjëri prej tyre nuk pati asnjë lloj shpërblimi në vlera. Ishte një shënjë e vetëdijes se ajo që kishte dodhur meritonte vetëm harresën.
Një luftë çnjerëzore, sigurisht. Por është kjo luftë, edhe kjo lloj lufte, që është në zanafillën e demokracisë n’Evropë: duhet t’a dijmë e të mos e harrojmë. Pë të shpëtuar kështu të gjithë e gjithshka? Sigurisht jo. Më shumë për t’u bindur se jeta e popujve dhe e kombeve, politika, historia, janë gjëra mallkueshmërisht serioze e shumë shpesh tragjike: ku pothuajse kurrë e keqja nuk mund të mundet nga e mira, ku për të pohuar arsyet e saj edhe e mira është shtrënguar të përdorur mjetet më të diskutueshme. Gjëra mallkueshmërisht serioze e tragjike që nuk durojnë moralizmat e kollajta të shprehura ulur në një tryezë të studios, dhe as thirrjet sharëse të bërtitura nëpër varganet e njerëzve. Ndoshta , ndonjëherë, as nga vendimet e gjykatave.

“Corriere della Sera”, 5 tetor 2023 Përktheu Eugjen Merlika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com