Ka ndërruar jetë pas 10 ditësh në spital në gjendje kome, shqiptari i pestë, që u rrëzua nga një skelë në një kantier ndërtimi në Hamburg të Gjermanisë. Lajmin e trishtë e ka dhënë për mediat daja i viktimës, 33-vjeçarit Alfred Visha.
Visha, baba i tre fëmijëve, mbeti i plagosur rëndë pas aksidentit në kantierin e ndërtimit. Dy ditë pas ngjarjes së ëndë, ndërkohë që në mediat gjermane kishte kakofoni për identitetin e viktimave, ishte daja i Vishës i cili foli për nipin e plagosur dhe për njërin nga viktimat.
“Quhet Alfred Visha nga Mati. Është ende në gjendje kome, parametrat raportojnë se janë stabël. Shumë i dëmtuar. Mbushen 48 orë, presim informacion të ri. Nipi im shkonte dhe vinte, ndërsa me datë 10 dhjetor mbush 2 muaj, me datë 2 dhjetor kishte prerë biletën për të ardhur dhe është aksidentuar”, tha ai, ndërsa bëri apel për ndihmë nga shteti, pasi mundësitë ekonomike të familjes janë të pakta, për t’i qëndruar të riut pranë.
“Aty ka qenë edhe një nga fshati im, unë jam nga Dibra, ai quhet Astrit Xheka nga Selishta me origjinë, por familja e tij rri në Durrës. Është konfirmuar i vdekur ai, shumë i dëmtuar. Nuk kam njohje tjetër, të tjerët më duket se janë nga Elbasani”.
Dy viktimat e tjera të identifikuara ishin Albert Zorba, 31-vjeç nga Elbasani dhe Rruzhdi Hoxha 33-vjeçar nga Kukësi.
Pas rënies së skelës nga kati i tetë, policia gjermane nxori 3 viktima dhe 33-vjeçarin e plagosur, i cili u transportua në spital, por pas ditëve të tëra në luftë me jetën, në fund ai është dorëzuar. Viktima e katërt u gjet pas pothuajse 24 orë kërkimesh dhe heqje të materialeve, që kishin varrosur shqiptarët. Po ashtu u raportua, se ata punonin në të zezë dhe se kishin pasaporta false bullgare./Liberale.al