Floriana Garo ka bërë përgjegjës kryesor kryeministrin Edi Rama, si urdhërues të dhunës së avokatit Sokol Mëngjesi.
Rithemelimi s’ka dhënë detaje pse Edi Rama do të rrihte Sokol Mëngjesin dhe jo Genc Gjokutajn, që është avokati kryesor i Sali Berishës.
“Sot në mëngjes, tre banditë, të urdhëruar nga Edi Rama, kanë sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të Partisë Demokratike është një proces kryekëput politik i bazuar në një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani.
Duke e goditur me banditë, me urdhër të tij direkt profesor Mëngjesin, dhe duke i shkaktuar atij lëndime të rënda, Edi Rama dëshmon frikën dhe panikun që përjeton nga aktet e tij politike kriminale.
Ai beson se me dhunë do mund të frikësojë zërin e së vërtetës dhe të fshehë krimet e tij politike. Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt banditesk kriminal ndaj profesor Sokol Mëngjesit dhe deklaroj sot se, Edi Rama, ai dhe vetëm ai, personalisht do të mbahet përgjegjës për këtë akt të shëmtuar kriminal”, tha Floriana Garo.
Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua sot rreth orës 08:30 në zonën e Ish-Bllokut. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës, ku mësohet se ka fraktura të rënda në kokë. Autorët janë ende të paidentifikuar, teksa policia ka ngritur grupin hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve.
/a.r