Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqatren, e Durrësit Mimoza Margjeka.
Mimoza Margjeka dhe bashkëshorti i saj, Arben Cara u arrestuan pas akuzave per korrupsion. Arrestimi u krye me urdhër të SPAK dhe përgjimet zbuluan dhe emra të tjerë të përfshirë.
Margjeka akuzohet nga SPAK për korrupsion, pasi nga përgjimet rezultoi se bashkë me bashkëshortin e saj dhe një avokat i kanë marrë një shumë prej 6 mijë eurosh një të arrestuari me qëllim për ta liruar nga burgu.
Sipas SPAK të pandehurit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë dhënë Mimoza Margjekës, nëpërmjet bashkëshortit të saj, një shumë parash prej 6 000 eurosh.
Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas.
NJOFTIMI
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Shkarkim nga detyra” për magjistraten M.M., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për shkak të dënimit për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319/ç – 25 i Kodit Penal.
Në seancën dëgjimore, inspektorët e ILD konkluduan se magjistratja është gjetur fajtore nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Apeli, për veprime, të shkallës më të rëndë, siç janë aktet korruptive të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtares, e që përbëjnë vepër penale. Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, si dhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe organet e drejtësisë, të gjitha shkelje shumë të rënda disiplinore për të cilat ILD kërkoi masën e shkarkimit nga detyra, që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
/a.r