Intervistoi: Reldar Dedaj
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi në një intervistë për Liberale.al deklaroi se Lugina e Preshevës në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare dha një mesazh të qartë; duke kërkuar bashkëpunim me Kosovën dhe jo konfrontim me të. Ai tregon se Vuçiq dhe partia e tij jo vetëm kanë kapur institucionet, mediat dhe gjyqësorin, por po e administrojnë vendin sikur të ishte një monarki. Nisur nga kjo pikëpamje, sipas tij, çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duhet të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, pasi s’mund të ketë normalizim marrëdhëniesh derisa vazhdon ende diskriminimi i shqiptarëve atje. Lidhur me gjendjen politike në Serbi, Kamberi mendon se problemi nuk është vetëm Vuçiç, por edhe opozita e vendit, e cila pavarësisht që e quan veten “pro-evropiane”, ajo nuk shfaq as ndonjë ide dhe as ndonjë projekt për ndryshimin e pushtetit.
Urime për fitoren z.Kamberi! Ajo çfarë kemi dëshirë t’ju pyesim është se cila është gjendja reale e Luginës së Preshevës, veçanërisht pas daljes së rezultatit zgjedhor?
Shaip Kamberi: Lugina e Preshevës është rajon i diskriminuar, i varfëruar dhe në trysninë e vazhdueshme të shtetit serb. Presioni i vazhdueshëm që i bëhet shqiptarëve përmes pamundësisë së integrimit të barabartë, mosnjohjes së diplomave, pasivizimit të adresave po e shndërrojnë këtë rajon në zonë nga e cila njerëzit më shumë kanë dëshirë të ikin se sa të jetojnë.
Në tre vitet e fundit, Serbia ka shkuar për herë të tretë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, a mund të na shpjegoni ju lutem, se çfarë po ndodh dhe veçanërisht në gjithë këtë histori ku qëndron opozita serbe atje, ose me pak fjalë, cili është roli real i saj në politikën serbe?
Shaip Kamberi: Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare tre herë në tre vitet e fundit dëshmon për mungesën e demokracisë së mirëfilltë në Serbinë e autoritarit Aleksandar Vuçiq. Ai dhe partia e tij, kanë kapur institucionet, mediat, gjyqësorin dhe po e administrojnë këtë vend sikur një monarki.
Mjerisht, problemi i Serbisë nuk është vetëm Vuçiq. Opozita, ajo që veten e quan “pro-evropiane”, është pa ide, pa lider dhe pa koncept të qartë për të ardhmen e këtij shteti. Shpeshherë, opozita serbe, lidhur me disa tema, sidomos Kosovën, del edhe më radikale se sa vetë Vuçiq.
Në gjithë këtë situatë të rrënimit të çdo institucioni, bashkësia ndërkombëtare, sidomos BE, nuk është e pafajshme. Duke e përkëdhelur Vuçiqin dhe pushtetin e tij, duke mos suportuar një opozitë përparimtare, ajo është në faj për këtë gjendje të krijuar. BE, në emër të stabilokracisë ka flijuar demokracinë në këtë vend.
Faktori shqiptar në Luginën e Preshevës, aktualisht, që flasim, është i harmonizuar në qëndrimet e tij politike?
Shaip Kamberi: Faktori shqiptar është i ndarë në dy taborre. I pari, që e përbejnë pesë parti politike, listës së të cilave në këto zgjedhje i kam prirë unë, ka qëndrim të prerë për rezistencë politike ndaj Beogradit diskriminues, bashkëpunim me Prishtinën dhe Tiranën.
I dyti, që personifikohet me emrin e kryetarit të Preshevës, kërkon konformizëm ndaj Beogradit dhe konflikt të hapur me Prishtinën. Zgjedhjet e fundit dëshmuan se shqiptarët e Luginës së Preshevës mbështesin opsionin e parë, sepse historia jonë, është histori rezistence ndaj diskriminimit e racizmit të hapur shtetërorë që po na imponohet.
A mund të na tregoni, ju lutem, se çfarë raporti ka shteti serb me shqiptarët e Luginës së Preshevës?
Shaip Kamberi: Serbia nuk njeh të drejtën e shqiptarëve si qytetarë të barabartë. Na mohon të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicës. Nuk lejon përdorimin e simbolit tonë kombëtar. Nuk na pranon të drejtën e punësimit në organet e shtetit. Mohon shumë të drejta në arsim, kulturë. Ndaj nesh ajo sillet sikurse ndaj popullatës së një territori të okupuar.
Cila është beteja juaj politike z.Kamberi?
Shaip Kamberi: Angazhimi për të drejtat e shqiptarëve, për status të barabartë, për realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë (2001, 2009, 2013) për sensibilizim të pozitës së shqiptarëve te ndërkombëtarët dhe për bashkëpunim më të ngushtë me Kosovën dhe Shqipërinë.
Çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, a mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi?
Shaip Kamberi: Mendoj se duhet të jetë, sepse qetësimi i Ballkanit Perëndimor, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi nuk mund të jetë i plotë, derisa vazhdon diskriminimi i shqiptarëve. Pozita e shqiptarëve dhe ndërprerja e diskriminimit, trajtimi i drejtë, i barabartë dhe simetrik me të drejtat e serbëve në Kosovë është rruga e normalizimit.
A duhet të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet, të flasin një gjuhë, të kenë një identitet, të jetojnë nën një flamur, të këndojnë një himn të vetëm? Si mendoni ju, është një dëshirë e pamoralshme, apo klasa politike shqiptare jo vetëm që s’ka guxim, por as nuk ka dëshirë ta deklarojë këtë?
Shaip Kamberi: Ne jemi një komb me një gjuhë, një kulturë një flamur. Si dëshirë është plotësisht e moralshme. Si aspiratë legjitime. Rrethanat gjeopolitike, që janë imponuar që nga Lufta e Parë Botërore janë ato që po e ndikojnë edhe sot këtë konfigurim. Në këto rrethana politike, qëllimi primar është që edhe Kosova, sikurse Shqipëria, të bëhet anëtare e NATO-s, të dyja bashkë të integrohen në BE. Shqiptarët në Luginë të kenë të drejta të barabarta me komunitetin serb në Kosovë, ndërsa roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është fondamental për të ardhmen e këtij shteti. Në Mal të Zi, roli i shqiptarëve, po ashtu, po rritet. Këto janë hapa të mëdhenj drejt integrimit./Liberale.al/