Letërsia është dhimbje, thotë Nasi Lera. Nëse nuk ka brenda saj dhimbje, nuk mund të jetë e sinqertë. Këtë ka pasur gjithnjë në mendje kur shkruante. Novelat, përmbledhjet me tregime, romanet që e bënë emrin e tij të spikatur në botën e letrave shqipe, qysh prej fundit të viteve ’70, kanë në qendër dhimbjen dhe njeriun. Janë të dashur për lexuesin titujt si “Duaje emrin tënd” – që më vonë u kthye edhe në skenar filmi -, “Sytë e Dashurisë”, “Njeri pa Stinë” e deri te “Të gjithë premtojnë Parisin”, botuar disa vjet më parë.
Personazhet e tij, rrëfen, se kanë qenë shpesh njerëz të cilët i ka njohur dhe i ka dashur. Personazhe si nëna, babai, motra, shokët, me të cilët nuk mund të luante. Jo vetëm se do t’i fyente, por se duke bërë ndryshe do të vishej me një farë hipokrizie. Kjo, pranon shkrimtari, e ka ruajtur nga paraqitja pllakateske e personazhit, edhe në kohën kur propaganda e regjimit i kërkonte dhe kur censura ishte e ashpër.
“Të gjitha veprat e mëdha kanë lindur nga dhimbjet e mëdha” – shton ai – “nga tragjeditë e antikitetit grek e deri te veprat e shekullit XX. Dostojevski ishte një shkrimtar që iu imponua mbarë botës dhe ai është i gjithi dhimbje. Dhe, nga kjo dhimbje vjen revolta ndaj padrejtësie njerëzore. Ishte një dhimbje që ndikonte duke e fisnikëruar lexuesin, pavarësisht vuajtjes që kishte autori”, vijon më tej shkrimtari.
Me punën dhe pasionin për letërsinë u ka sjellë lexuesve shqiptarë vepra dhe autorë të rëndësishëm të letërsisë botërore nga Kamy, Duras, Kundera, de Mopasan, Saramago, Allende e shumë të tjerë.
Ndërsa i afrohet tetëdhjetë viteve të jetës me një opus letrar të pasur dhe aktiv në shkrimtari e përkthime, Nasi Lera vjen si kryetari i jurisë së Çmimit Letrar Kadare për vitin 2024. Vit që përkon edhe me kremtimin e dhjetëvjetorit të këtij çmimi, që lindi si një nismë për të nxitur e promovuar prozën shqipe në të gjithë hapësirën shqiptare.
“Për një shkrimtar, vlerësimi me një çmim është gjithmonë një ëndërr”, thotë Lera. “Pavarësisht sesa e shpreh shkrimtari këtë, brenda tij dëshira për të marrë një çmim është gjithmonë e madhe, gjithmonë nxitëse. Kur ky çmim mban edhe emrin e një shkrimtari të madh siç është Çmimi Kadare, atëherë i bëhet një ëndërr ngandonjëherë edhe më e madhe sa vetë ëndrra. Kaq e largët i duket çdo shkrimtari, sepse krahason çmimin, emrin e autorit që mban ky çmim me veten. Me fitimin e Çmimit, jo se do të jetë si Kadare por do të jetë në krah me emrin e tij”, vijon kryetari i jurisë. Lera e sheh Çmimin Letrar Kadare si nga më nxitësit dhe me sinjifikativët për çdo autor. “… pavarësisht nëse është një autor i ri, i mesëm apo i moshuar”.
Pohon se në procesin e vlerësimit të dorëshkrimeve, Çmimi Kadare vë para përgjegjësisë, më shumë jurinë sesa autorët që marrin pjesë. “Ata kanë bërë një roman, e sjellin dhe juria duhet patjetër që të evidentojë atë autor dhe atë vepër që qëndron me dinjitet krahas emrit të Çmimit Kadare. Por, mendoj se nxitja që kanë shkrimtarët nga ky çmim do të sjellë me vete edhe vepra që do ta nderojnë çmimin, por edhe do ta lehtësojnë punën e jurisë në vlerësimin e veprës që do ta fitojë”.
Gara për edicionin e nëntë ka nisur, ndërsa të interesuarit duhet të dërgojnë një përmbledhje të veprës së tyre në prozë dhe dorëshkrimin, i cili si kusht kryesor i këtij konkursi, nuk duhet të jetë i botuar më parë. I gjithë projekti kap shifrën e 10 mijë eurove, ku krahas vlerësimit monetar për fituesin, Instituti Liberal Pashko dhe shtëpia botuese UET PRESS botojnë veprën që do të gjykohet më e mira dhe e përcjellin tek audiencat dhe lexuesit përmes tureve promovuese, bisedave të hapura, panaireve të librave, kronikave në medie, etj. Që kur u themelua, në vitin 2014, me bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare, Çmimi Kadare ka pasur mision jo vetëm inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, por edhe nxitjen e debatit dhe kritikës letrare.
“Do të thosha se, një çmim letrar, nuk është thjesht një vlerësim material. Mbi të gjitha, çmimi Kadare është një vlerësim shpirtëror. Jam i bindur se ai apo ajo që do ta fitojë çmimin Kadare për këtë vit, do t’i mbetet për të gjithë jetën si një pikë referimi, kur ka realizuar një ëndërr të madhe.
Nasi Lera thotë se të kryesosh një juri që mban emrin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është shumë e vështirë, megjithatë ai e pranoi pa hezitim ftesë.
“Të them të drejtën e ndiej veten të nderuar të kryesoj jurinë e Çmimit Kadare, aq më shumë që edhe anëtarët e jurisë janë njerëz me dinjitet letrar dhe personalitet njerëzor. Shpresoj që e gjithë juria të angazhohet seriozisht për të arritur te vepra më e mirë. Është e vështirë, të them të drejtën, sepse si anëtarë jurie kemi qëndrimin objektiv ndaj letërsisë por edhe kufizimet që na ka dhënë shija jonë letrare. Prandaj duhet që të kapërcejmë veten për të qenë sa më objektivë në dhënien e Çmimit Kadare”, thotë shkrimtari.
Në juri, bashkë me të, me detyrën për të zgjedhur veprën më të mirë për Çmimin Kadare 2024 janë autori dhe studiuesi i letërsisë Gazmend Krasniqi, kritiku dhe autori Ermir Nika, dramaturgu dhe regjisori i teatrit Armando Bora dhe gazetarja Suadela Balliu, njëkohësisht kryeredaktore e shtëpisë botuese UET PRESS.
Shkrimtari Nasi Lera thotë se e ka ndjekur ndër vite ecurinë e Çmimit Kadare, që me romanin e Rudolf Markut “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, që u shpall fituesi i parë. Po ashtu, zoti Lera spikat romanin e Vera Bekteshit “Pusulla të Verdha” – e para grua fituese e këtij çmimi – dhe fituesen e fundit Nurie Emrullai.
Për kryetarin e jurisë, është e domosdoshme të ketë nxitje dhe projekte si ai i Ccmimit Kadare“…qoftë për autorët e rinj që të mos deziluzionohen që në herën e parë e të mos humbasin në zhgënjimin prej ëndrrës së bukur siç është ajo për t’u bërë shkrimtar. Shpesh harrojmë se shkrimtari është edhe njeri, është prind, bashkëshort, bir, mund të ketë probleme të ndryshme. Por mbi të gjitha, shkrimtari ka nevojë për një qetësi, jo shpirtërore, por financiare. Qetësia financiare e ndihmon t’i përkushtohet letërsisë. Rrit cilësinë dhe sasinë, por shpesh kur mungon kjo qetësi, shkrimtarit i duhet të jetojë dhe detyrohet të bëjë gjëra të tjera dhe e lë mënjanë letërsinë”.
Vlerëson faktin që ky çmim ka kusht veprat e pabotuara, tregues se një shkrimtar që merr pjesë – qoftë me përvojë apo i ri në këtë fushë – është aktiv në të shkruar.
“Hemingway ka një shprehje të jashtëzakonshme: “Për fat të keq, shkrimtarëve amerikanë lavdia dhe paraja u vjen me bollëk kur ata nuk kanë nevojë.” Po të vësh re nobelistë 80 e ca-vjeçarë, që as vetë nuk presin të fitojnë, çmimin Nobel e kanë ëndërruar kur kanë qenë në vlagën e punës. Por pastaj kanë 20 vjet pa punuar. Është një gëzim ndoshta edhe më i madh sesa po ta merrte në një moshë më të re, por është edhe dhimbje. Si të thuash, epilogu i jetës përmes një çmimi. Duket se ndonjëherë çmimi në moshë shumë të madhe është si një farë lëmoshe që shkrimtaren mund edhe ta fyejë”, thotë Lera. Kujton sesa e gëzonte marrja e një çmimi, veçanërisht kur nuk e priste. Sot është ai që do të vlerësojë një shkrimtar apo shkrimtare, duke i përmbushur, siç e quan ai, një ëndërr. Fituesi do t’i bashkëngjitet emrave që e kanë marrë këtë çmim ndër vite si Nurie Emrullai, Vera Bekteshi, Gani Mehmetaj, Loer Kume, Musa Ramadani, Virgjil Muçi, Shkëlqim Çela e Rudolf Marku, ndërsa gara si çdo vit është e hapur për shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora.