Pas urdhrit të SPAK, teksa i është kërkuar Kuvendit që të miratojë vendim për masën arrest shtëpie, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha, duke argumentuar se nuk njeh vendimet e organeve të reja të drejtësisë, sepse sipas tij kontrollohen nga Rama.
“Nëse unë nuk kam pranuar urdhrin e Gjykatës dhe SKAP-it nuk kam pranuar se është shkruarje e Kushtetutës. Unë kam refuzuar të zbatoj një urdhër antikushtetues nga një gjykatës e shkarkuar nga unë në vitin 1996 dhe që e fsheh këtë fakt”.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nëse Kuvendi vendos që t’i hiqet imuniteti, atëherë ai do ta respektojë, aq më tepër edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e saj.
Ai tha për mediat se ai do të zbatojë vendimet kushtetuese. – “Çfarëdo vendimi që pas autorizimit të Kuvendit, do ta respektoj pa asnjë hezitim. Qëndrimi im i përsëritur këtu, juve ua kam thënë; ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Nuk mund të bëhesha një njëri që nuk zbaton kushtetutën. Ai ishte një akt i shkuarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, u shpreh Berisha.
“Tani parlamenti të vendosë si të dojë. Kam firmosur abrogimin e nenit 70 të kushtetutës që i jep atribute deputetit. Unë vetë po e përgatis se do e çoj në Kushtetuese. Unë do e zbatoj nëse Kushtetuesja vendos. Asnjë lloj shmangie nga organet e drejtësisë nuk mund të ketë. Tani do e zgjidhë parlamenti. Sa herë kanë ardhur me ato fletushka, s’i kam respektuar, tani e vendos Parlamenti. Sado vendimi i SPAK-ut është i paligjshëm, vendimi i Parlamentit do të respektohet. Opozita do të vazhdojë betejën e saj pa kthim deri në fitore”.
“Ajo po zhvillohet në çdo skaj”, – shtoi ish-kryeministri, – “dhe shqiptarët e shohin si një përpjekje për të çaktivizuar opozitën. Ky akt që merret kundër meje, është një frymëzim dhe një kushtrim i ri për opozitën dhe në këtë kontekst ndihem më i frymëzuar se kurrë. Grupi parlamentar tani është i mbledhur dhe do të kërkoja mirëkuptimin tuaj”, – tha më tej Berisha.
Pasi Sali Berisha nuk e njohu autoritetin e Gjykatës së Posaçme që caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj para një oficeri të policisë gjyqësore apo një oficeri të BKH-së me pretendimin se nuk ishte zbatuar Kushtetuta, Prokuroria iu drejtua me një shkresë Kuvendit të Shqipërisë për t’i hapur rrugë që ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha të merret një masë tjetër sigurie.
Tani, sipas ligjit, do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, e cila do të zhvillojë seancë ku do të dalë edhe vetë Berisha. Procedura do të duhet të mbyllet brenda një afati 15-ditor, dhe pas miratimit në seancën parlamentare të kërkesës, atëherë Gjykata do të shqyrtojë kërkesën për masën e re të sigurisë, atë të “arrestit në shtëpi”.
Në rastet kur Berisha nuk e zbaton edhe këtë masë sigurie, automatikisht sipas procedurës, prokurorët mund të kërkojnë një masë tjetër sigurie. Ndërkaq, Berisha deklaroi sot se do të zbatojë vendimin e Parlamentit dhe se ai ishte për zbatimin e Kushtetutës. Prokurorët Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja thonë në kërkesë se janë të detyruar të kërkojnë këtë masë, pasi Berisha nuk e ka zbatuar masën e mëhershme, atë të detyrimit me “paraqitje”.