Rreth 36 mijë fëmijë shqiptarë erdhën në jetë në 10 muajt e parë të këtij viti por ndryshe nga viti i kaluar nuk do të përfitojnë ato të cilët do të lindin jashtë vendit në vitin 2024.
Ata kanë përfituar nga programi i bonusit të bebes, duke marrë menjëherë çekun në vlerën e 40, 80 apo 120 mijë lekëve, si fëmijë i parë, i dytë apo i tretë në familje.
Një pjesë e mirë e këtyre bebeve kanë ardhur në jetë nga prindërit shqiptarë por që nuk janë rezident në Shqipëri.
Kjo është pagesa e fundit që bëhet për këta fëmijë, pasi qeveria ka miratuar ndryshimin e ligjit, në bazë të së cilit, bonusi i bebes do t’iu jepet vetëm fëmijëve të familjeve rezidente në Shqipëri.
Për të nxitur lindshmërinë por dhe mbështetur familjet në momentin që një fëmijë vjen në jetë Qeveria ka parashikuar që edhe në buxhetin e vitit 2024, të alokohet një fond prej 2.2 miliard lekë (rreth 20 milionë Euro).
Programi i bonusit të bebes ka nisur të aplikohet që prej 1 janarit të vitit 2019.