Serbia vijon të mbetet aleati kryesor i Rusisë në Europë. Zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, po zhvillon një vizitë në Moskë, ku ka ritheksuar edhe një herë mbështetjen e vendit të tij për regjimin e Putinit.
Në një takim që pati me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, numri dy i qeverisë serbe ka deklaruar se vendi i tij nuk është pjesë e histerisë anti-ruse, duke e siguruar zyrtarin e lartë të Rusisë se Beogradi nuk do të bëhet pjesë e sanksioneve kundër Kremlinit.
Në një njoftim të qeverisë serbe thuhet se Vulin dhe Lavrov kanë diskutuar mes tjerash edhe për modele dhe mekanizma për shtrirje të bashkëpunimit mes Serbisë dhe organizatës BRICS – grup i krijuar prej Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut.
Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit për pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës. Vizita e zëvendëskryeministrit serb në Rusi është e dyta qëkur ai u emërua në këtë post në pranverën e këtij viti.
Vulin është shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përfshirje në veprimtari korruptive dhe destabilizuese që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, për ndihmë ndaj Moskës në veprimtaritë keqdashëse dhe për lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet të trafikut të drogës. Pavarësisht kësaj disa muaj më pas në Nëntor të vitit 2023, ai u emërua zëvendëskryeministër i Serbisë.
/a.r