Zogaj: Arsyet e përçarjes së opozitës janë akoma në fuqi. Bashkimi s’ndodh për sa kohë ka kushte, e vetmja mënyrë…!

Presidenti i Institutit Liberal Pashko, Preç Zogaj, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar rikthimin në sytë e opinionit publik të Lulzim Bashës dhe mundësitë e bashkimit të opozitës.

Zogaj u shpreh se dalja e Bashës para mediave ishte e nevojshme dhe se kjo ndikon në bërjen e opozitës më aktive.

Sa i takon mundësisë së bashkimit të fragmenteve opozitare, ai theksoi se kjo nuk mund të ndodhë për sa kohë palët i vendosin kushte njëra-tjetrës dhe arsyet e përçarjes janë akoma në fuqi.

Sipas tij bashkimi do të ishte i mundur përmes një lloj institucionalizimi të opozitës plurale.

“Vetë komunikimi i Bashës pas kaq kohësh, disi i mënjanuar nga ballafaqimi me publikun ishte i nevojshëm. Vlerësoj se ishte i hapur në shumë prej temave të bisedës. Nuk vura re dhënien e ndonjë urdhri për reformën zgjedhore. Basha nuk mund të japë urdhër, ai është në pozicion deputeti.

Tonet që përdori ai nënkuptonin se Parlamenti duhet me urgjencë të realizojë reformën. Kjo është përparësi për të gjithë. Zërat opozitarë duhet të ngulmojnë për këtë. Zgjedhjet po afrojnë. Nuk ka më kohë për të humbur.

Basha e bëri të qartë pse nuk ka dalë për shumë kohë dhe u shpreh pse doli në këtë fillim viti. Kjo e bën opozitën shumë më aktive edhe në komunikimin me mediat dhe publikun. Bashkimi është ngritur si tezë, por e mira e këtij diskutimi është se tashmë të gjithë fraksionet janë koshientë se nuk mund t’ia dalin vetëm. Bashkimi si shumë e numrave që kanë tani nuk mjafton për fitoren, por sërish është i vlefshëm. Nga mënyra si trajtohet, me kushte, etj ka më shumë mundësi të mos ndodhë sesa të ndodhë.

Bashkimi nuk mund të bëhet pa dhënë arsye për arsyet e përçarjes. Disa njerëz e paraqesin këtë çështje sikur një ditë të bukur luajtën mendsh të gjithë. Arsyet e rënies nuk kanë rënë dhe janë akoma në fuqi. Kjo është çështje madhore.

Zgjidhja është një lloj institucionalizimi i opozitës plurale. Nuk shoh bashkim për sa kohë vendosen kushte, palët nuk bien dakord për të përbashkëtat dhe vlerat e bashkimit. A bien të gjithë dakord për mbështetjen e SPAK? Më duket se jo. Ka fragmente që jo vetëm nuk e mbështetin, por janë në luftë me të”, u shpreh Zogaj./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com