Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, Albana Fico, doli në një deklaratë për mediat pas zjarrit që ra në godinën e urgjencës së re.
Ajo u shpreh se të gjithë pacientët janë jashtë rrezikut për jetën.
“Siç e dini spitali qëndror është një spital që trajton rastet më të rënda. Padiskutim shërbimet kanë marrë masat e tyre, përfshi edhe reanimacionet. Ne kemi pacientë të cilët jo për gjë, por më tepër për siguri më të lartë i kemi lëvizur brenda QSUT. Nuk ka ndryshime të parametrave të tyre, nuk ka asgjë që mund t’ju them për përkeqësim të gjendjes. Janë në vijimin e trajtimit të tyre. Të mos harrojmë që QSUT në kuadrin e Emergjencave Civile ka planin e vet të emergjencës. Mbase nuk donin ta testonin sot, por ja ku u testua me sukses”, tha Fico.
Sipas saj, defekti që shkaktoi problematikën ka ndodhur në një dhomë teknike.
“Ka qenë një defekt në një dhomë teknike e cila po vlerësohet dhe monitorohet në vijimësi. Gjithë grupi teknik së bashku me mirëmbajtjen e QËSUT kanë nën kontroll çdo lloj elementi. Është një dëm në dijeninë time i kufizuar vetëm në një dhomë teknike, por kjo nuk ka prekur asgjë tjetër. Nuk ka prekur pajisjet e imazherisë”, u shpreh ajo.
Fico tha se pas adresimit të momentit të parë tani grupet e punës kanë kaluar në fazën e riorganizimit. Për këtë arsye është realizuar një mbledhje blic për të piketuar hapat që do të ndërmerren.
/a.r