Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 23 vatra zjarri ndërsa janë 12 aktive. I ftuar në studion e RTSH24, Cara tha se mos shënimi i asnjë humbje jete apo djegie banese tregon që strukturat operacionale kanë qenë funksionale duke i mirëmenaxhuar situatat.
“Kemi mbrojtur çdo banesë, përveç rastit të një banese druri në Shëngjini falë ndërhyrjes së shpejte të forcave operacionale të zjarrfikëses dhe strukturave të tjera që normalisht kanë qenë një mbështetje. Banesat kanë qenë të rrezikuar në disa raste, por kemi punuar që t’i evakuojmë banorët.
Duhet ta vejmë theksin tek jeta e banorëve, por edhe tek banesa apo bizneset që ata kanë mundur të bëjnë deri sot. Shumë shtete të tjera që kanë të gjitha pajisjet po përballen me zjarre ku janë shënuar humbje jete, janë djegur edhe banesa ndaj mendoj që strukturat operacionale dhe organizatat ligjzbatuese kanë qenë në nivele shumë të larta.
Deri më sot kemi humbje vetëm në pyje e kullota, pra nuk janë shënuar raste në jetë apo në banesa. Duhet të krenohemi me këtë fakt. Kjo tregon se deri tani strukturat kanë qenë funksionale dhe jemi të suksesshëm në menaxhimin e zjarreve”, tha Cara.
Cara vlerësoi edhe bashkëpunimet me vendet fshqinj i cili i vlerësoi shumë të mira dhe produktive. Po ashtu Cara i bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë aktet ligjore dhe të mos provokojnë zjarr në këto ditë të nxehta.
/a.r