Zjarre të furishme dhe erërat e “djallit”, çfarë pritet të ndodhë me Los Angeles?

Të Hënën e kaluar, Shërbimi Kombëtar Meterologjik në SHBA (NWS) vuri re një fenomen aq sa të rrallë edhe të rrezikshëm, duke paralajmëruar se Los Angeles dhe Ventura do të përfshiheshin nga erëra shumë të forta. Dhe në fakt, kështu ndodhi! 3 ditë më vonë, zjarret u përhapën masivisht, ndërsa rreth një javë më vonë gjithçka u shkatërrua! 24 persona kanë humbur jetën deri më tani, ndërsa pritet që ky bilanc të thellohet. Më e keqja? Një pjesë e mirë e zjarreve ende nuk janë shuar.

NWS ka dhënë një tjetër “alarm” sa i takon ditës së sotme dhe të Mërkurës. Do të rikthehen erërat e fuqishme të “Santa Ana”, që përbëjnë potencial për përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Në një konferencë për mediat, Departamenti i Zjarrfikësve në Los Angeles tha se këto zjarre kanë qenë “ngjarja më shkatërruese dhe sfiduese e historisë së qytetit e që ende s’kanë marrë fund”.

Mirëpo, a përbëjnë këto erëra një kërcënim akoma më të madh?

Bëhet fjalë për erëra të ngrohta, të vrullshme dhe me lagështi të ulët. Janë tipike favorizuese për përhapjen e shpejtë të zjarreve. Erërat e “Santa Ana” shpesh quhen edhe “erërat e djallit”, janë të forta, jashtëzakonisht të thata dhe që prekin veçanërisht në vjeshtë Kaliforninë Jugore e atë bregdetare, duke u bërë shkaku kryesor për zjarret. Sipas ekspertëve, këto lloj erërash e kanë origjinën nga mjedise shkretinore të Nevadës dhe prej tyre krijohen rreth 10 ose 25 raste në vit. Zgjasin nga 1 deri në 7 ditë, ndërsa ngjarja më e gjatë e regjistruar e “Santa Ana” ishte një erë 14-ditore në Nëntor të 1957-ës.

Siç është parashikuar, situata në Los Angeles e jo vetëm mund të përshkallëzojë. Aktualisht është dhënë urdhri për evakuuimin e personave të mbetur në të gjitha zonat e Kalifornisë Jugore, ndërsa rreth 150 mijë të tjerë nuk lejohen të kthehen në banesat e tyre.

Këto erëra të mbushura me pluhur, por edhe zjarret e furishme kanë qenë pjesë e Los Angeles prej më shumë se 5000 vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com