Një zjarr i përmasave të mëdha ra ngjitur me shtëpinë e të moshuarve në Fier rreth orës 15:30 ka mbushur me tym institucionin, duke rrezikuar jetën e tyre.
Si pasojë e tymit kanë shfaqur probleme 8 të moshuar që vuanin dhe nga sëmundje të tjera.
Ata janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit, për asistencë mjekësore pasi nuk janë ndjerë mirë. Të gjithë të moshuarit e tjerë janë evakuuar dhe po qëndrojnë në oborrin e azilit.
Shërbimet e Policisë dhe shërbimet zjarr0fikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit.
Mjekja Yllka Tare ka deklaruar si është gjendja e të moshuarve të dërguar në spital pasi godina e azilit të Fierit u “pushtua” nga tymi si pasojë e një zjarri aty pranë. “Gjendja e të moshuarve duket e mirë. Të sëmurët që i kishim me probleme i kemi transportuar për në spital. Dy asmatikë, një të sëmurë të paralizuar me edemë pulmonare… Dëmtime nga zjarri nuk kemi. Më shumë nga ankthi… Edhe pak nga tymi. Nuk ka me asfiksi. Të gjithë janë në gjendje të mirë nën kontrollin tonë”, tha ajo.
Lidhur me ngjarjen, Dorina Gjino drejtoresha e azilit të Fierit ka deklaruar se nuk ka zjarr në ambientet e shtëpisë së të moshuarve por në ndërtesën ngjitur.
“Aktualisht situata është e qetë, të moshuarit të gjithë u evakuan. Zjarri ishte jashtë institucionit. Në institucion ka pasur tym sepse zjarri ka rënë ngjitur me institucionin. 8 të moshuar janë në spital, janë azmatik dhe për merak i nisëm”, tha ajo.