Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 32 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu një hotel në vendpushimin e skive Kartalkaya në veri të Turqisë.
Zjarri ka nisur fillimisht në zonën e restorantit dhe është përhapur më tej me shpejtësi në të gjithë godinën.
Ekipet e urgjencës nga qytetet fqinje, përfshirë zjarrfikësit, njësitë e reagimit ndaj fatkeqësive dhe ekipet mjekësore të mbështetura nga helikopterët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur evakuimin e 230 personave që po qëndronin në këtë hotel, ndërsa po vijojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Ndërkaq, autoritetet po hetojnë në lidhje me shkakun e zjarrit. Kartalkaya, në provincën e Bolu, është një nga destinacionet kryesore të turizmit dimëror të Turqisë. Gjatë sezonit të skive, resorti tërheq mijëra vizitorë. Ndodhet 295 kilometra (183 milje) në lindje të Stambollit.