Të paktën 7 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar si pasojë e një zjarri që përfshiu një hotel në Bucheon të Koresë së Jugut.
Bilanci i fataliteteve mund të ishte edhe më i ulët, por zjarrfikësve iu dështoi sistemi i dyshekëve me ajër, kështu që dy klientë të hotelit humbën jetën pasi u hodhën nga dritaret.
Viktimat e tjera u gjetën në dhomat në katin e tetë, ku zjarri besohet të ketë nisur për shkak të një defekti elektrik.
Megjithëse zjarri nuk u përhap në të gjithë ndërtesën, dëmet ishin të mëdha pasi dhomat nuk ishin të pajisura me pajisje fikëse.
Policia ka nisur një hetim nëse drejtuesit e hotelit kanë treguar ndonjë neglizhencë, ndërkohë që në hetim është marrë dhe departamenti i zjarrfikësve për dështimin e dyshekëve me ajër.