Partia konservatore në pushtet e Kroacisë ka fituar shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare, por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri.
Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i kryeministrit Andrej Plenkoviç ka fituar 60 vende në asamblenë prej 151 anëtarësh, kanë treguar rezultatet nga më shumë se 90% e qendrave të votimit. Në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2020, partia fitoi 66 vende.
Në ditët në vijim priten bisedime të ashpra për formimin e qeverisë.
“HDZ ka fituar për herë të tretë radhazi në mënyrë bindëse zgjedhjet parlamentare,” u tha Plenkoviç mbështetësve të tij në Zagreb herët të enjten.
Koalicioni i qendrës së majtë i udhëhequr nga Social Demokratët (SDP) fitoi 42 vende dhe partia nacionaliste e djathtë Lëvizja Atdheu doli e treta, me 14 vende.
Një parti ultra-konservatore dhe një parti e majtë e gjelbër fituan nga 11 dhe 10 vende secila.
“HDZ do të fillojë të mbledhë një shumicë të re parlamentare për të formuar qeverinë e saj të enjten në mëngjes“, tha Plenkoviç.
Udhëheqësi i SDP-së Peđa Grbin tha se ndërsa rezultatet nuk ishin ato që dëshironte partia, ato “treguan se … njerëzit duan një ndryshim”.
“Nuk ka mbaruar,” tha ai në selinë e partisë në Zagreb.
/a.r