Zgjedhjet/ Berisha “hap thesin” e premtimeve: Do përgjysmojnë taksat për naftën!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u zotua që nëse forca e tij politike vjen në pushtet, do të përgjysmojë taksat për naftën në vend. “Zotimi ynë është ky, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nafta nuk do mund të shitet kurrë me variacion çmimi plus-minus 10 për qind me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, vende që nuk prodhojnë një litër naftë.

Kosova naftën e merr kryesisht nga Durrësi. Pra nafta nga Durrësi shkon në Prishtinë, transportohet dhe shitet 40 për qind më lirë. Merr fund kjo vjedhje e tmerrshme mbi shqiptarët. Qeveria nuk ndërhyn në çmime, por qeveria nuk toleron kurrë spekulime”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

“Sikundër garantoj shqiptarët se ngarkesa fiskale mbi naftën, që është mbi qytetarët, do të njohë një rënie drastike. Do të përgjysmohet. Nafta është energji dhe energjia është zhvillim. Ndaj dhe kjo ngarkesë do të zbresë në nivelin e ngarkesave më të ulëta në rajon, në mënyrë që nafta në Shqipëri të zbresë në nivelet e ulëta, se ka vende në rajon që e kanë më të larta se Maqedonia dhe Kosova.

Këto dy vende do merren modeli i çmimit të naftës. Do jetë kjo paketë e 100 ditëve, pjesë e paketës me të cilën ne synojmë t’u dëshmojmë shqiptarët se të ardhurat e tyre po rishpërndahen në një mënyrë më të ndershme dhe se do jenë ata përfitues kryesorë”.

Sipas Berishës, nafta në Shqipëri shitet me çmim shumë më të lartë për konsumatorët për shkak të taksave të larta. “Akciza: 38 lekë për litër. Taksa e qarkullimit, e cila në vitin 2013 ka qenë 7 lekë, është sot 27 lekë. Taksa e karbonit: 3 lekë. Taksa e rilicencimit, se këta i ndajnë me lote: 7-10 lekë. Markimi dhe skanimi: 3 lekë. Kontrolli i pompave: 2 lekë. TVSH: 30 lekë. Në total 1.130 lekë”, tha Berisha.

“Domethënë secili shqiptar që blen një litër naftë, i paguan qeverisë për këtë litër nafte në mënyrën më kriminale 1 euro e 13 cent, që nuk ndodh në asnjë vend të botës. Natyrisht ky tatim i qytetarëve për çdo litër nafte 1.1 euro është unik, nuk ekziston në asnjë vend përveçse në Shqipëri dhe në mënyrë të padiskutueshme kjo ka ndikim të fuqishëm në çmimin e naftës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com