Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Toni Gogu, i zgjedhur edhe anëtar i kryesisë së PS, beson se partia në pushtet do ta fuqizojë pozicionin e saj elektoral në zgjedhjet e ardhshme.
Dikur, një nga bashkëpunëtorët e afërt të kryebashkiakut Veliaj, zoti Gogu e ka ruajtur vlerësimin maksimal për të, pavarësisht hetimeve të SPAK-ut në bashki për çështjen e incineratorëve dhe të kompanisë 5D.
“Kryetari Veliaj është një politikan, që mbrojtjen më të mirë ka punën e tij.”- tha zoti Gogu gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë”.
Ai rrëzoi si të pavërtetë zërat për një dobësim të pozitave të kryebashkiakut Veliaj në parti, pasi funksioni i drejtuesit të PS për qarkun e Tiranës u nda mes tij, Ogerta Manastirliut dhe Elisa Spiropalit.
“Nuk besoj në këtë thashethem. Unë besoj se puna është pasaporta më e mirë e çdo politikani dhe pasaporta e zotit Veliaj, përsa i përket punës, do të këtë mbërritur faqen e fundit, ose ka nisir pasaportë të re, aq shumë faqe pune ka zoti Veliaj. PS, me të njëjtin ritëm pune dhe me të njëjtin solidaritet partiak, do të shkojë përballë votuesit dhe rezultati do të shihet në pranverën e ardhshme. Aktualisht, PS ka 74 mandate, por në zgjedhjet e ardhshme, PS ka objektiv më ambicioz. Të konsolidojmë qeverisjen që na anëtarëson më BE. Nëse sot jemi 74, ne do të donim të kishim atë shumicë që na jep atë forcë parlamentare për të çuar përpara reformat për Shqipërinë 2030”.- u shpreh Toni Gogu në RTSH.