Zgjatet mandati i ambasadorëve, nga 3 vite shkon në 4 vite! Në emërime përfshihet dhe Kuvendi

Ligji për shërbimin diplomatik 9 vite pas ndërhyrjes së fundit do ndryshojë sërish. Paketa e hedhur për konsultim publik parashikon që mandati i një ambasadori, nga 3 të zgjasë 4 vite.

Sekretari i përgjithshëm i MPJ, Armand Skapi thotë: “Praktika 4-vjeçare ka rezultuar më efektive. Sepse nëpërmjet kohëzgjatjes ai krijon më tepër lidhje dhe kontakte me vendin pritës. Gjithashtu rezulton më efektiv nga ana e pikëpamjes financiare dhe menaxheriale sepse për çdo transferim diplomatik nga një vend në tjetrin ka kosto financiare”.

Diplomati në krye të mbarimit të mandatit ka ta drejte ta rinovoje atë, por në një shtet tjetër.

“Ky rinovim mandati ndodh vetëm një herë për një vend tjetër jo për atë vend ku ka qenë, ose kthim në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme ose në institucionet e tjera ku diplomati ka punuar më parë”, shton Skapi.

Ai shpjegon për Top Channel se roli i Kuvendit nuk përjashtohet nga procesi i emërimit të ambasadorëve në misionet diplomatike, pasi nuk shmanget detyrimi i tij për të raportuar në Komisionin për Politikën e Jashtme.

“Është parashikuar që roli i Kuvendit të jetë pas dekretimit dhe para marrjes se agrimentit të ambasadorit nga vendi pritës. Pra nëse Kuvendi apo Komisioni për Politikën e Jashtme do kishte konsiderata negative për kandidatin në fjalë do ndikonte në procesin e dhënies apo mosdhënies së agrimentit nga vendi pritës”, përfundon Skapi.

Pas fazës së konsultimit publik drafti pritet te miratohet ne Qeveri për ti kaluar me pas për diskutim Parlamentit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com