Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se iu ka mbijetuar të paktën pesë tentativave për vrasje nga presidenti rus Vladimir Putin. Duke folur për gazetarët, ai e krahasoi përpjekjen e të mësuarit për humbjen e jetës nga vrasja, njëjtë si ideja e të mësuarit me pandeminë e Covid-19.
Zelensky tha të hënën se nuk e dinte ekzaktësisht se sa komplote për ta vrarë atë janë prishur nga shërbimet e inteligjencës ukrainase, por pretendoi se forcat ruse “do të përdorin çdo instrument që kanë”.
Duke përshkruar atentatet për vrasje, ai i tha “The Sun”: “Atentati i parë është shumë interesant, dhe pas kësaj është njësoj si Covid. Së pari njerëzit nuk dinë çfarë të bëjnë dhe duket shumë e frikshme”.
I pyetur se sa tentativa ka pasur për ta vrarë, ai tha: “Nuk e di, vërtet nuk e di. Unë mendoj se jo më pak se pesë, gjashtë…jo më pak.
Zelensky u takua me përfaqësues të “Fox News” dhe “The Sun”, duke përfshirë shefin ekzekutiv të “Fox Corporation”, Lachlan Murdoch, në Kiev të hënën.
“The Sun” gjithashtu raportoi pas takimit se Zelensky akuzoi Kremlinin se ka ndihmuar Hamasin të nisë sulmet në Izrael në tetor dhe se konflikti Ukrainë-Rusi mund të çojë në një luftë të tretë botërore. Ai tha gjithashtu se Ukraina ka nevojë për më shumë ndihmë dhe armë perëndimore.
Sipas faqes së tij të internetit, Zelensky falënderoi gazetarët anembanë globit për mbështetjen e tyre.
“Gjatë gjithë kësaj kohe gazetarë, kameramanë, montazherë, fotografë, shoferë kanë qenë në vijën e parë të frontit” tha ai. “Meqë kjo është një luftë hibride, informacioni është gjithashtu një armë në duart e Rusisë. Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet dhe miqtë e atyre burrave dhe grave shumë të guximshme që humbën jetën duke u përpjekur të tregojnë se çfarë po ndodh në Ukrainë. Në veçanti, është falë gazetarëve nga shumë vende që tani kemi një mbështetje të tillë në botë.”
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së vëmendjes së botës ndaj konfliktit në një kohë kur është “e paqartë nga ngjarje të tjera”./Liberale.al