Aleksandar Gjorçevska, babai i adoleshentes së vrarë Vanja, ndodhet në paraburgim, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij, që rezultoi me vdekjen e saj. Babai i Vanja Gjorçevska, siç dyshohet, ka dashur t’i zhvasë para nënës së saj dhe janë marrëdhëniet familjare ato që zbulojnë motivin e lëvizjeve monstruoze të Aleksandrit.
Prokurori maqedonas, Gavril Bubevski, deklaroi se ka informacione se nëna e viktimës së fundmi ka shitur shtëpinë, pra ky ka qenë edhe motivi i rrëmbimit të vajzës. Ai ka thënë se babai i vajzës ka qenë në kontakt me të dyshuarin kryesor që është arrestuar më 5 dhjetor, të cilit i ka treguar për këtë, si dhe se kur do të largohet vajza nga shtëpia.
Mirëpo, fjalët e fqinjëve të kësaj familjeje nga Shkupi mund të zbulojnë motivet më të thella të Aleksandrit, i cili tronditi rajonin për faktin se dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij, edhe pse askush në Shkup nuk do të flasë hapur për dyshimet e tyre se pse Vanja e pati një fat kaq të tmerrshëm. Megjithatë, një gazetar i tha “Jutarnji list” se prindërit e Vanjës janë të divorcuar, dhe se gjyshi i Vanjës, babai i nënës së saj, është një burrë i pasur. Tani ekziston mundësia që babai Aleksandri, i revoltuar kundër familjes së ish-gruas, të ketë dashur të nxjerrë para prej tyre, duke e ditur se sa të pasur janë.
Gjithçka ka të bëjë me babain, i cili, siç e dimë, nuk ishte aspak një figurë pozitive në jetën e tyre. Ai dhe nëna e Vanjës ishin të divorcuar, gjyshi i Vanjës ishte drejtor i doganës dhe një njeri i pasur diku në vitin 2002 dhe të gjitha këto i trashëgoi nëna e Vanjës. Ata thonë se ai ishte i interesuar për para.
“Nga e dinin orën e saktë kur Vanja shkon në shkollë? Ata që u arrestuan thonë se ai u tha atyre këtë. Supozohet se ai nuk e dinte që Vanja do të ishte vetëm, ndaj dyshohet se qëllimi ishte rrëmbimi i të dyja vajzave. Prandaj, të gjithë këtu dyshojnë në motivet materiale të babait të drejtuara ndaj ish-gruas së tij. Nuk dihet pse e vranë vajzën nëse synonin të shantazhonin nënën e saj. Diçka duhet të ketë shkuar keq. Doli shumë, shumë keq kur u vra një vajzë 14-vjeçare”, tha për Jutarnji një gazetar maqedonas që merret me kronikën e zezë.