Zbulohen mbi 300 trupa në spital, Biden “shuplakë” Netanjahut: Po gabon në Gaza

Në një prej komenteve më kritike ndaj luftës izraelite në Gaza, Presidenti amerikan Joe Biden e cilësoi si të gabuar qasjen e Benjamin Netanjahut. Në një intervistë televizive, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri thirrje për armëpushim dhe qasje të plotë ndaj ndihmave në enklavën e copëtuar.

Një javë pas vrasjes së 7 punonjësve të bamirësisë në sulmet e ushtrisë izraelite, Biden e quaji të tmerrshme mënyrën se si automjeti i vullnetarëve ishte goditur nga dronët në një autostradë: “Mendoj se ajo që po bën Netanjahu është e gabuar. Nuk jam dakord me qasjen e tij. Mendoj se është e tmerrshme që ato 3-4 automjete u goditën nga dronët në një autostradë. I bëj thirrje izraelitëve për armëpushim dhe që të lejojnë përgjatë 6 deri në 8 javët e ardhshme qasje të plotë ndaj ushqimeve dhe medikamenteve që hyjnë në vend”.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se gjatë një telefonate të zhvilluar javën e kaluar me Netanjahun, Biden paralajmëroi se vazhdimi i mbështetjes amerikane për luftën do të varej nga vullneti i Izraelit për të lejuar hyrjen e më shumë ushqimeve dhe ilaçeve. Por, me gjithë presionin në rritje, kryeministri izraelit këmbëngul se asnjë fuqi botërore, nuk do t’i ndalë trupat e tij të hyjnë në Rafah, qytet në jug të territorit ku janë strehuar 1,5 milionë palestinezë.

Ai thotë se është caktuar edhe data e operacionit madhor, në një sfidë të hapur ndaj aleatit historik SHBA, që e ka dënuar planin. Biden po përballet me presion të shtuar në vendin e tij lidhur me Izraelin dhe gjatë javëve të fundit e ka ashpërsuar retorikën ndaj Netanjahut. E megjithatë, furnizimet ushtarake, përfshirë bomba, raketa dhe municione kanë vërshuar të pandërprera nga SHBA drejt Izraelit.

Në një dëshmi të dramës që ka kapluar Gazën, trupat e 381 personave u zbuluan në një varrezë masive rreth spitalit të AL Shifës, ku sipas punonjësve forcat izraelite vranë qindra palestinezë gjatë rrethimit disa javor, duke lënë trupat të dekompozohen.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com