Masa arrest shtëpie shihet si një masë paraprake për arrestimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha. Pas kërkesës së SPAK, dërguar Kuvendit, deputetët e Rithemelimi kërkojnë pezullimin e masës shtrënguese ndaj Sali Berishës e për rrjedhojë edhe pezullimin e arrestimit të tij.
Partia Socialiste nga ana tjetër thotë se do të votojë kërkesën e SPAK për t’i hequr mandatin deputetit Sali Berisha, për të cilin prokuroria e Posaçme ka kërkuar masë më të ashpër, duke kërkuar arrest shtëpiak ndaj tij. Kryetari i grupit parlamentar në PS, Bledi Çuçi tha se qëndrimi i tyre në këtë pikë ka qenë i prerë.
‘Padiskutim që do të votojmë. Qëndrimi ynë është i qartë i prerë në këtë pikë. Nuk kemi diskutuar as mandatin e kolegëve tanë kur vjen puna kur SPAK-u kërkon përjashtimin’– tha Çuçi.
I pyetur në lidhje me sfidën e Gazment Bardhit, i cili thotë se nëse Rama plotëson tre kërkesat e opozitës, do të shkojnë në Kuvend për të marrë pjesë në votimin që do të zhvillohet për heqjen e imunitetit ndaj Berishës, Çuçi tha se kjo është qesharake, pasi ata po djegin kuvendin për të.
Ndërkohë që deputetët e Rithemelimit e çuan kërkesën e SPAK në Gjykatën Kushtetuese.
‘E nderuar Zonja Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
Ne kërkuesit, me cilësinë e 1/5 të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po Ju parashtrojmë në vijim faktet, provat dhe argumentat ligjore, se përse kemi paraqitur këtë kërkesë, e cila në thelb synon të zgjidhë konfliktin e kompetenca ndërmjet institucionit të Kuvendit nga njëra anë dhe pushtetit gjyqësor nga ana tjetër, për sa i përket heqjes dhe/ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit.
Nisur nga sa do të argumentojmë në vijim, ne kërkuesit i kërkojmë gjithashtu Gjykatës Kushtetuese interpretimin përfundimtar të Nenit 73, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që konflikte të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen.’- thuhet ndër të tjera në padinë deputetëve të Rithemelimit.