Xhaxhai i Aleks Nikës: Politika ende i konsideron të vrarët e ’21 Janarit’ si ‘mish për top’!

Xhaxhai i Aleks Nikës, kërkon drejtësi për nipin e tij që u vra para Kryeministrisë më 21 janar 2011.

Mark Nika thotë se politika vijon të përpiqet të bëjë presion me qëllim që kjo cështje të mbyllet.

“Është viti i 14 që vendosim lule aty ku janë vrarë Aleksi me shokë. Çështja vijon të jetë e pazbardhur se drejtësia ishte e implikuar me politikën e sot e kësaj dite po përpiqet ta fshijë si ngjarje, e të vrarët të konsiderohen si të vrarë ‘mish për top”, tha Nika në një intervistë për Report Tv.

“Strasburgu ka vendosur që hetimi të bëhet nga SPAK. Hetimet po shkojnë në rrugën e mbarë. Po thirren persona që janë në dijeni dhe po bëhet ekspertimi i provave materiale. SPAK e ka marrë seriozisht. Kërkojmë drejtësi, kush i vrau dhe pse i vrau”, shtoi ai.

Sot bëhen 14 vite nga vrasja e katër qytetarëve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë, ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha.

Familjarët e 4 viktimave të 21 Janarit akoma sot presin drejtësi.

Të vetmit të dënuar për këtë krim të 13 viteve më parë janë ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg.

Tashmë çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për të hetuar dhe vënë para drejtësisë autorët e një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com