Në Serbi po mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal në dhjetëra qytete, përfshirë edhe në Beograd, mes përpjekjeve të populistëve të krahut të djathtë në pushtet që synojnë të çimentojnë pushtetin e tyre.
Zgjedhjet në kryeqytetin serb po rimbahen pasi raportet për parregullsi të gjera dhjetorin e kaluar nxitën tensione politike dhe akuza se Partia Përparimtare Serbe e Presidentit Aleksandër Vuçiç manipuloi votimet. Populistët i kanë mohuar akuzat, por megjithatë riorganizuan ripërsëritje të votimeve.
Të dielën votohet edhe për më shumë se 80% të këshilleve bashkiake dhe bashkitë e dy qyteteve të tjera kyçe, ai i Novi Sadit dhe Nishit në jug. Grupet opozitare properëndimore e kanë akuzuar Presidentin Vuçiç për lidhje me krimin, korrupsionin e shfrenuar dhe shtypjen e demokracisë. Por, një aleancë e gjerë e cila qëndron pas protestave të mëdha antiqeveritare në rrugë vitin e kaluar është ndarë dhe ish-aleatët janë kthyer kundër njëri-tjetrit, duke nxitur apatinë mes 6,5 milionë votuesve në Serbi.
Partia në pushtet e Presidentit Vuçiç pritet të jetë fituese të dielën. Ajo kontrollon për më shumë se një dekadë të gjitha nivelet e pushtetit në Serbi, kështu që nëse opozita arrin të fitojë disa nga kuvendet komunale, për të mos përmendur qytetet e mëdha, do të ishte një ndryshim i rëndësishëm. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve thanë se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të dhjetorit të vitit të kaluar u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së Presidentit dhe përparësive sistematike për partinë në pushtet. Akuzat për mashtrim në Beograd përfshinin raporte se votuesit nga rajone të tjera të Serbisë dhe nga Bosnja fqinje u dërguan me autobus në kryeqytetin serb për të votuar për partinë e Presidentit Vuçiç.
/a.r