“Vuçiç s’do ta arrestojë Radojiçiçin, avokatin e tij e dërgoi vëzhgues të zgjedhjeve në Rusi”

Avokati serb, Cedomir Stojkoviç ka thënë se avokati i terroristit Milan Radojiçiç dhe ish-gjyqtari serb, Goran Petronijeviç po merr pjesë si vëzhgues në zgjedhjet në Federatën Ruse në rajonin e Zaporoshkoj.

Prandaj, Stojkoviç ka theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk do ta arrestojë kurrë Radojiçiçin, i cili kishte pranuar se organizoi sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Vuçiçi jo vetëm që s’do ta arrestojë Radojiçin, por e dërgon avokatin e tij dhe të vetin në Krime për të vëzhguar zgjedhjet e Putinit”, ka shkruar Stojkoviç në platformën “X”.

“Në të njëjtën kohë, Goran Petronijeviç është edhe mbrojtësi i Milan Radojiçiçit, për të cilin dje publikisht Grabiel Eskobar tha se duhet të arrestohet”.

Për Stojkoviç-in, Petronijeviç, nuk është një avokat i zakonshëm, por avokat personal i Aleksandër Vuçiçit nga koha para se të vinte në pushtet.

“Petronijeviç është mik i familjes së tij dhe tani ai është këshilltari (joformal) special dhe i dërguari Aleksandër Vuçiç dhe një person i shkallës më të lartë të besimit”.

Terroristi Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, aktualisht është në kërkim nga INTERPOL-i, për shkak të sulmit në Banjë. Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë Heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com